Berisha uron 7 Marsin: Më shumë investime për arsimin

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inagurimin e një shkolle në zonën e Paskuqanit në kryeqytet.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha pasi i uroi 7 Marsin të gjithë mësueve theksoi se arsimi dhe edukimi do të mbetet prioritet i qeverisë.
Sipas tij qeveria do të kryejë investime të tjera në arsim dhe u premtoi banorëve të Paskuqanit se edhe 5 shkolla të tjera do të ndërtohen në këtë zonë.
“Sot ne kremtojmë 7 marsin me optimizëm dhe besim të madh se ne çdo ditë po ndryshojmë arsimin tonë, po përmirësojmë edukimin e fëmijëve tanë” theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha nga Paskuqani nuk ka lënë pa sulmuar edhe kryesocialistin Edi Rama që sipas tij ka bërë çdo gjë për të shkelmuar mbi votën e qytetarëve.
“Për 2 vite me radhë ai u përpoq të nxinte votën tuaj, liritë por mori përgjigjen që meritonte” theksoi Berisha.
Duke iu referuar edhe zgjedhjeve lokale të 8 majit, kryeministri Berisha theksoi se këto zgjedhje do të jenë edhe prova e qëndrimit ndaj lirisë.
“Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe me dinjitet të plotë dhe garantoj se qeveria do të krijojë të gjitha kushtet për të votuar njëlloj si në vendet e tjera të Europës” theksoi Berisha.