Berisha, vendimi i parë pas kthimit nga Mali i Zi, kthimi i borxhit
Qeveria miratoi dje kthimin e borxhit të trashëguar ndaj Malit të Zi. Sasia e borxhit që Shqipëria i ka këtij vendi, përllogaritet jo më shumë se 500 mijë dollarë, por vendimin e bën intrigues fakti që ai merret menjëherë pas vizitës së Kryeministrit Berisha në këtë shtet. Madje, pjesën kryesore të fjalimit të tij të zakonshëm në fillim të mbledhjes, Berisha ia kushtoi kësaj vizite duke e cilësuar si tepër të suksesshme.
Ky është vendimi i pestë i këtij formati nga qeveria shqiptare, të cilat kanë të bëjnë me shlyerjen e borxhit të trashëguar të shtetit tonë ndaj ish-Jugosllavisë, të cilin tashmë e përfitojnë shtetet që e kanë përbërë atë. Borxhi total përllogaritet në rreth 20.7 milionë dollarë (plus 3 mln dollarë interesa) dhe ndahet midis shteteve në shuma të ndryshme. Qeveria nënshkroi në mars të vitit të shkuar një marrëveshje me këto vende duke përcaktuar edhe modulet e shlyerjes së detyrimeve. Nga borxhi total prej 20.7 milionë dollarë, sipas marrëveshjes në fjalë, Shqipëria duhet ti paguajë Kroacisë 5.5 milionë, Sllovenisë 3.8 milionë dollarë, Bosnjës 3.7 milionë, Malit të Zi 532 mijë dollarë dhe Serbisë rreth 8.5 milionë dollarë.
Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, qeveria miratoi në maj 2011 shlyerjen e borxhit 8.5 milionë dollarë bashkë me interesat. Pagesat do të bëhen brenda një periudhe 5 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, pagesat do të bëhen në data fikse dy herë në vit, në 31 mars dhe 30 shtator. Marrëveshja gjithashtu parashikon edhe penalitete në rast se Shqipëria vonohet në pagesat e detyrimeve. Në rast të vonesave, mbi shumën që duhet paguar do të aplikohen interesa plus. Një marrëveshje e ngjashme vlen edhe për pagesat e borxhit ndaj vendeve të tjera, përfshirë edhe Malin e Zi. Mos përfshirja e Kosovës në listën e shteteve përfituese nga borxhi shqiptar ndaj shteteve të ish-Jugosllavisë shkaktoi pakënaqësi në shtetin tjetër shqiptar në Ballkan. Kjo, me arsyetimin se gjatë kohës kur është mbledhur borxhi, edhe Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë.
Borxhi ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë e ka zanafillën gjatë periudhës së regjimit komunist, kur qeveria shqiptare bënte tregti mall me mall. Në rastin konkret, Shqipëria i ka dërguar vendeve të ish-Jugosllavisë minerale, kryesisht krom dhe ka marrë në këmbim orendi shtëpiake, si lavatriçe dhe frigoriferë. Pas miratimit të marrëveshjes nga qeveria, ajo kalon për shqyrtim në Komisionin e Ekonomisë dhe do të hyjë në fuqi pas votimit në seancë plenare në Parlament.
Ndarja e borxhit sipas shteteve
Serbia 8.5 mln USD
Sllovenia 3.8
Kroacia 5.5
Bosnja 3.7
Mali i Zi 0.5
