Vëllai i Veizit: Me dhunën e duarve në xhepa do ta rrëzonte Ziveri, Berishën?
Çaush Veizi, vëllai i të ndjerit Ziver Veizi, i vrarë nga Garda e Republikës përballë derës së Kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, tha mbrëmë në linjë telefonike për Shekullin se asnjëherë nuk ka folur për dhunë dhe se ndihet i kërcënuar nëse kreu i qeverisë bën deklarata si ato që bëri në një emision televiziv të mërkurën në mbrëmje. As nuk është folur mes nesh për dhunë e për rrëzime, e jo më të kem deklaruar unë, apo Ziveri, ndonjë gjë të dhunshme për Berishën. Me se do ta rrëzonte Ziveri, Berishën, me duar në xhepa? – thotë z. Veizi. Më poshtë, pjesë nga biseda e mbrëmshme e z. Veizi me gazetaren e Shekullit, Lindita Çela.
Z. Veizi, Berisha u shpreh për të ndjerin Ziver Veizi dhe ju, në një intervistë televizive mbrëmë se vëllai i tij tha se erdhi nga Greqia se do të rrëzojmë Sali Berishën dhe se kjo do të hetohet
Me se do ta rrëzonte Ziveri, Berishën, me duar në xhepa? E ka parë mbarë një popull si u ekzekutua Ziveri përballë Kryeministrisë. Ajo që unë kam folur është veç e vërteta e familjes sonë dhe e Ziverit. Unë e kam përcjellë atë ditë në mëngjes për të ardhur në Tiranë. As nuk është folur mes nesh për dhunë e për rrëzime, e jo më të kem deklaruar unë, apo Ziveri, ndonjë gjë të dhunshme për Berishën. Ziveri merrte pjesë në çdo protestë. Këtu ai ndihej i diskriminuar dhe ishte pa punë. Kjo ka qenë arsye përse atë ditë ka ardhur në Tiranë. Nuk ishte një njeri i dhunës Ziveri. As fjalë, as mjete të dhunshme nuk përdorte. Shkonte me duar në xhepa, ashtu siç edhe e vranë. Edhe që vizitën e parë në jetën e tij në Greqi e ka bërë disa ditë para se të vritej. Qëndroi tek motra jonë në Selanik 4 a 5 ditë dhe më pas u kthye në shtëpi, as ka punuar e as ka jetuar atje, ndaj nuk kish si të kthehej nga Greqia për të rrëzuar me dhunë Berishën.
Z. Veizi, ju a ndiheni të kërcënuar pas deklaratash të tilla publike?
Nëse Berisha e ka bërë një deklaratë të tillë, sigurisht që ndihem i kërcënuar. Kush nuk do të ndihej i kërcënuar? Në këtë vend çfarë nuk të ndodh. Edhe këtë mund ta bëjnë. Sigurisht që ndihesh i kërcënuar kur dëgjon gjëra të tilla. Deri sa arrijnë e sajojnë një gjë që nuk e kam thënë, a mund të pres ndonjë gjë të mirë më pas?
Deklarata e Berishës në intervistën në emisionin FAKT
.Është familja e viktimave të Ziver Veizit në mos gaboj, vëllai i tij tha se erdha nga Greqia se do të rrëzojmë Sali Berishën, e kanë të gjitha mediat këtë. Kjo kërkon një hetim. Por këtë hetim nuk mund ta bëjnë ata, të cilët ishin pjesë e këtij puçi për të rrëzuar Sali Berishën
