Berisha-vendorëve:Bëhuni gardianë të mbrojtjes së mjedisit
Kryeministri Berisha ka kërkuar nga të zgjedhurit vendor në vend të vendosin standartet më të mira për mbrojtjen e mjedisit. Duke folur në konferencën “Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë”, kryeministri Berisha theksoi se kryetarët e bashkive dhe komunave duhet të kthehen në gardianë të mbrojtjes së mjedisit.
Ndërsa ka rikujtuar se shoqëria jonë përpa 20 vitesh ka qënë rurale, kryeministri kërkoi nga vendorët të mos udhëhiqen nga psikologjia rurale por të vendosin standartet më të mira për mbrojtjen, pastrimin dhe zhvillimin e mjedisit.
“Nuk mundet që psikologjia jonë rurale dhe trashëgimia jonë rurale të çojë përpara zhvillimin e mjedisit në Shqipëria pasi janë standarte krejtësisht të tjera që kërkohen. Në krimet e rëndë janë të përcaktuar krimet ndaj mjedisit. Ju duhet të jeni gardianët kryesorë të mjedisit dhe të territorit” ka theksuar Berisha.
Duke shtuar se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e madhe e qeverisë dhe e të zgjedhurve vendore, kryeministri Berisha theksoi se një punë jo serioze në këtë drejtim do të ishte një goditje e madhe për turizmin në vend.
“Duhet ta përparësojmë këtë si çështje si ndër më kryesoret. Vitin që kaloi ne thithëm shumë turistë. Por nëse nuk ka një dinamikë serioze në ruajtjen e mjedisit, numri i turistëve do të bjerë. Imagjinoni se çfarë goditje është ambienti jo i duhur për turizmin”, tha Berisha.
Berisha premtoi edhe njëherë mbështjetjen e qeverisë së tij për pushtetin vendor veçanërisht në administrimin e të ardhurave. “Do bëjmë gjithçka për t`ju mbështetur por edhe t`ju japim mundësi të administroni të ardhurat në një spektët taksat që sot e kësaj dite ende nuk i keni”, e përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha.