E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-vendorëve: Krimet ndaj mjedisit janë ndër krimet e rënda

Mjedisi ka qenë tema kryesore e takimit të kryeministrit Berisha me vendorët sot paradite. Duke folur para kryetarëve të komunave e bashkive të vendit, Berisha tha se ata duhet të jenë gardianët e mjedisit, në mënyrë që ndotja e tij të mos bëhet pengesë për rritjen e turizmit.

Krimet ndaj mjedisit janë ndër krimet e rënda. Ju duhet të jeni gardianët kryesorë të mjedisit dhe territorit. Vitin e kaluar pritëm 4 milionë turistë e vizitorë. Nuk gjen një që të mund të thotë se nuk pashë plehra. Duhet ta përparësojmë këtë çështje kryesore. Në rast se nuk ka dinamikë serioze në pastrimin e mbajtjen e mjedisit, ne do të etiketohemi si vend që nuk ia vlen të vizitohet. Turizmi është degë kryesore e ekonomisë shqiptare, leva më e fuqishme kundër varfërisë, tha Berisha.

Gjithashtu, shefi I qeverisë u ndal edhe në projektin e arrorëve, për të cilin kërkoi bashkëpunimin e kryetarëve të komunave.

Problem madhor kryesor është edhe problemi i pyllëzimit me dru frutorë. Shqipëria është vendi ideal i drurëve frutorë dhe frutave më të shijshme. Ju bëj  thirrje të ngremë fidanishte në çdo komunë. Të nxisim mbjelljen e frutave më tradicionale. Të mbjellim të paimagjinueshmen. Nuk ka gjë më të madhe për vendorët se sa ta shndërrojnë komunën e tyre në një kopsht të bukur, tha ai.  / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›