E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vizita banorëve në QSUT, Gërdec dhe kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes, në Durrës

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje vizita të plagosurve në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në repartin e djegieve. Kryeministri vizitoi nga afër të plagosurit dhe u kujdes personalisht për trajtimin mjekësor që po u jepet nga grupi i mjekëve dhe infermierëve. Në këtë spital ndodhen 11 të sëmurë në reanimacion, 14 të tjerë janë në pavionin e djegieve, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. “Sipas mjekëve, po u jepet e gjithë ndihma e duhur dhe disponohet çdo gjë që duhet për mjekimin e tyre. Takova disa prej tyre, i gjeta me optimizëm dhe të bindur se do të shërohen”, u shpreh Kryeministri Berisha, pas vizitës së të lënduarve. Ndër ta, 8 të plagosur të tjerë në këtë pavion janë në gjendje pak më të rëndë, por Kryeministri garantoi se ata janë nën kujdesin e plotë të mjekëve. “Ekipet mjekësore kanë vënë në gatishmëri çdo gjë që t`i asistojë, në mënyrë që sapo të mbërrijë mjeti i parë, ata të transportohen për në spitale më të specializuara”, u shpreh Kryeministri Berisha. Gjatë bisedave që ka zhvilluar me të plagosur të tragjedisë së Gërdecit, Kryeministri Berisha i siguroi ata se po bëhet ç’është e mundur për të gjetur të humburit dhe për të shëruar të plagosurit. “Ne jemi me dhimbjen tuaj dhe do të bëjmë çdo gjë që të mund ta lehtësojmë këtë pikëllim që ne kemi, të gjithë së bashku”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërkaq,
Kreu i qeverisë, Berisha vizitoi fshatin Gërdec, ku konfimoi vendosmërinë e qeverisë për pastrimin në një kohë sa më të shkurtër të zonës nga rreziku. Kryeministri Berisha u njoh nga afër me pasojat e shkaktuara nga shpërthimi i një dite më parë, dhe përgëzoi drejtuesit ushtarakë për misionin e kërkimit dhe pastrimit të zonës nga predhat ende të pashpërthyera. “Jam këtu për të shprehur të gjithë dhimbjen, pikëllimin e thellë, ngushëllimet e qeverisë, por jo vetëm të qeverisë shqiptare, por shumë qeverive të vendeve mike familjet që humbën më të dashurit e tyre, por edhe gjithë banorëve të kësaj zone për gjendjen katastrofale që përjetuan, sikurse dua t’ju përgëzoj ju, të përgëzoj të gjitha njësitë e ushtrisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë në repartet e tjera të ushtrisë shpëtim-kërkimin e minierave, qytetarët e kësaj zone. Ju organizuat, në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, operacionin më të shkëlqyer të shpëtim-kërkimit që vendi ka njohur ndonjëherë, operacion me anë të cilit ju ia dolët të shpëtoni dhjetra e dhjetra jetë”, u shpreh Kryeministri, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme vazhdimin e operacionit, pasi ka ende të humbur. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vizitoi banorët e Gërdecit të strehuar në kovaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës. Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha i siguroi banorët e Gërdecit se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat për rindërtimin sa më të shpejtë të fshatit të dëmtuar nga shpërthimi i ditës së djeshme. “Zona është shpallur zonë emergjence dhe në këtë kontekst shteti do të ndërmarrë të gjitha masat që të rindërtojë sa më shpejt atë që është dëmtuar. Po bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar jetët e të plagosurve. Nuk do të kursejmë asgjë për të shpëtuar jetën e të plagosurve dhe për të ndërtuar shtëpitë tuaja”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë takimit me banorët. Kryeministri ftoi të gjitha familjet, të cilave u janë dëmtuar shtëpitë nga shpërthimi që të vendosen në këto ambjente, në të cilat do t`u sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të asaj zone të vendosen këtu. Nuk kanë nevojë të rrinë tek njerëzit e tyre të afërt sepse shteti i ka të gjitha mundësitë për të kirjuar kushtet për familjet dhe fëmijët”, theksoi Kryeministri Berisha. “Erdha t’ju siguroj se qeveria çdo minutë është duke e ndjekur gjendjen. Kemi krijuar një komision ndërqeveritar që të merret vetëm me zonën e fshatrave”. Kryeministri i informoi banorët se në fshatin Gërdec rreth 500 forca ushtarake po kontrollojnë me imtësi çdo pëllëmbë tokë për gjetjen e predhave të pashpërthyera. “Familjet duhet të rrinë këtu dhe i ftoj edhe familjet e tjera që të vijnë këtu deri në krijimin e kushteve të sigurisë. Këtu ka shërbim mjekësor dhe të gjitha ashrëbimet e tjera të ofruara nga ministritë dhe kemi vënë gjithçka në dispozicion të banorëve, në mënyrë që ta përballojnë me sa më leehtësi këtë situatë”, nënvizoi Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›