Topalli: Djemtë e RENEA-s, janë heronjtë e vitit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli bëri dje paradite një vizitë në Spitalin Ushtarak të Tiranës për të parë gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi i një dite më parë në Gërdec. Ajo bisedoi me mjekët për t’u njohur me gjendjen e të plagosurve ndërsa takoi bashkë me ta, të lënduarit dhe të afërmit e tyre duke u uruar shërim të shpejtë e duke u dhënë kurajo për të përballuar dhimbjen. “Përgëzoj dhe falenderoj ekipin e mjekeve të Spitalit Ushtarak për gatishmërinë e tyre. Të menaxhosh një situatë të tillë në mënyrë kaq të veçantë është një meritë e jashtëzakonshme e tyre. Në spital kanë ardhur 169 të lënduar të shkallëve të ndryshme që po trajtohen këtu, ndërsa disa janë nisur për kurim të mëtejshëm 5 të plagosur në Greqi dhe 4 të tjerë në Itali. Është diçka e jashtëzakonshme që pa i bërë asnjë thirrje, të gjithë mjekët kanë ardhur për të qenë të gatshëm në këtë tragjedi, për t'i shërbyer të gjithë atyre që kishin nevojë. Falënderoj të gjithë shërbimin e Spitalit Ushtarak, jo vetëm për misionin dhe përkushtimin, por edhe për mënyrën e menaxhimit të kësaj situatë”, tha Topalli. Një falënderim të veçantë, znj. Topalli e bëri për pilotët e helikopterëve, për të gjithë djemtë e rinj të RENEA-s por edhe për Forcat e Xhenios që kanë shkuar që nga dita e djeshme në Gërdec për të bërë pastrimin e zonës në një moment jo të sigurt, kur ende ka alarme për shpërthime. “Ata janë heronjtë tanë, janë heronjtë e vitit”, tha Kryetarja e Kuvendit.