E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqe me katër pika

Ka kaluar nga zv/ministrja Suzana Turku zgjidhja e një problemi, që për pak do të hapte një tjetër vatër të trazuar përplasjesh mes institucioneve në varësi të MTRKS-së e kësaj të fundit. Fjala është për një projekt-draft ndryshimesh në ligjin e funksionimit të artit skenik, ku sinjalet e para të mospajtimeve u lëshuan këto ditë. Por një takim i zhvilluar dje, ka tentuar t‘i sheshojë disi çështjet. Kështu, numri dy i Ministrisë së Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, znj. Suzana Turku u takua me një përfaqësi të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Përballë saj, si përfaqësues nga kjo sindikatë ishin: Reshat Ibrahimi, President i SPASH-së, znj. Irini Qirjako, sekretare e përgjithshme e SPSHA-së, z. Edmond Lalazi, kryetar i TKOBAP-së, z. Mirush Kabashi, kryetar i TK-së, znj. Marilda Furrxhi, Sindikata e QKKF-së.

Në takim, siç njoftoi zyra e shtypit e MTRKS-ës, u diskutua për projekt-draftin e hartuar nga një grup pune i këtij dikasteri "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9631, datë 30.102006 ‘Për artin skenik‘ dhe draft-propozimin për reformat ligjore e institucionale në institucionet e artit skenik. Pas diskutimeve, palët dolën me një qëndrim të përbashkët të shprehur në katër pika:

1. Materiali i paraqitur është një draft i hapur në komunitetin artistik për të tërhequr mendimet e tyre. Diskutimet dhe veprimet do të vazhdojnë për një kohë të ardhshme.

2. Të zbatohet Ligji Nr. 9631, për "Artin skenik" i miratuar në 30.10.2006 nga Kuvendi i Shqipërisë.

3. Nëpër institucionet artistike të ngrihen grupe pune në përbërjen e të cilëve të jenë artistë të shquar të skenës shqiptare.

4. Do të ketë një bashkëpunim midis grupit të punës në MTKRS dhe grupeve të institucioneve artistike, për marrjen e mendimeve dhe për ta rikthyer projekt-draftin për diskutim në grupet e interesit, me qëllim përmirësimin dhe shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve artistike brenda institucioneve përkatëse për krijimin e vlerave artistike bashkëkohore dhe cilësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›