E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha vizitë dyditore në Kosovë

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi, nis sot një vizitë dyditore në Kosovë, vizita e parë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale. Në ditën e parë të vizitës, kryeministri Berisha do të takohet dhe do ketë bisedime me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në prani të dy kryeministrave, do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve, si Marrëveshja për Lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve; Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare; Marrëveshja në fushën e doganave; Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar; Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm dhe Marrëveshja e bashkëpunimit të Administratave lokale. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Kryeministri Berisha do t'i drejtohet më pas, Kuvendit të Kosovës ku do mbajë një fjalim.
Gjatë orëve të pasdites kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësues të partive politike, me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të minoriteteve. Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu, homazhe në varrin e Presidentit Ibrahim Rrugova dhe një vizitë në familjen e tij.
Në ditën e dytë të vizitës, kryeministri Berisha do të udhëtojë në Prekaz, ku do të zhvillojë homazhe në Memorialin e Adem Jasharit dhe do të kryejë një vizitë në familjen Jashari.
Axhenda e kryeministrit do të vijojë më pas me takime të veçanta me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it, Lieutenant Gjeneral Markus Bentler. Kryeministri Berisha do të vizitojë në Prishtinë edhe monumentin "New Born".
Gjatë kësaj vizite në Republikën e Kosovës, kryeministrit Berisha do t'i jepen edhe titujt "Honoris Causa" nga Universiteti i Prishtinës dhe "Qytetar nderi" i Prizrenit. Në librin zyrtar të personaliteteve që nderohen me "Doctor Honoris Causa" i UP-së, figurojnë vetëm shtatë emra, amerikanët sikurse ish presidenti Bill Clinton, zëvendës presidenti aktual i SHBA-ve, Ëlliam Kerr, austriakët Michael Wninger e Wolfgang Benedeck, shqiptarët Ismail Kadare e Bamir Topi, dhe ministri aktual i Francës, Bernard Kouchner. Qyteti i Prizrenit ka vendosur që ta shpallë Berishën "Qytetar Nderi i Prizrenit". Gjatë vizitës, Sali Berisha pritet të nënshkruajënjë sërë marrëveshjesh me institucionet e Kosovës, të natyrës ekonomike, arsimore, lëvizjen e qytetarëve etj.
Ndërkaq në rrugët e Prishtinës janë vendosur pankarta dhe banderola , por dhe fotografi të kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shkruhet gjithashtu urimi "Mirëserdhe Sali Berisha". Gjatë vizitës së tij përvec takimit me liderët institucional të Kosovës, nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe liderët e tjerë sikurse Ramush Haradinaj (AAK), Nexhat Daci (LDDK), Bexhet Pacolli (AKR) etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›