E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha–Moro: Në funksion të integrimit, do të tejkalojmë ngërçin politik

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadoren e re të Francës në Tiranë, Christine Moro.

Gjatë takimit Kryeministri theksoi nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike. Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi se prania e një sërë kompanish prestigjioze franceze në Shqipëri është shenjë inkurajuese për investime të mëtejshme franceze.

Nga ana e saj, ambasadorja Christine Moro i transmetoi kreut të qeverisë përshëndetjet nga Presidenti Sarkozy, si dhe vlerësimin e qeverisë franceze për rolin që Shqipëria luan në kuadër të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Kryeministri Berisha i bëri ambasadores një ekspoze të arritjeve dhe reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në të gjitha fushat e që synojnë modernizimin dhe përmirësimin e kushteve sociale e ekonomike të vendit.

Kryeministri e siguroi ambasadoren se integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, si dhe për angazhimin e saj në çuarjen përpara të reformave në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u ndal mbi situatën bllokuese të krijuar në dy vitet e fundit nga opozita dhe shprehu angazhimin e qeverisë për vazhdimin e reformave pavarësisht kësaj situate, si dhe gatishmërinë e saj për të tejkaluar këtë situatë me kompromis dhe vullnet të mirë politik që synon integrimin e vendit në Bashkimin Europian si interesi më i mirë i qytetarëve.

Nga ana e saj ambasadorja franceze shprehu gatishmërinë për mbështetjen në një numër fushash të bashkëpunimit bilateral dhe në kuadër të integrimit evropian nëpërmjet dhënies së asistencës dhe ekspertizës si në fushën e bashkëpunimit parlamentar, formimin dhe konsolidimin e administratës publike, në fushën e mbrojtjes, rendit publik, frankofonisë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›