PD: Rama po fshihet pas sulmeve ndaj mazhorancës

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj reagoi pak më parë lidhur me deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, pas Asamblesë Kombëtare të selisë rozë.
Në fjalën e saj zëdhënësja e PD-së u shpreh se Rama foli për rritjen ekonomike por harroi të shtojë se si ky kryebashkiak për vite me radhë nuk bëri asgjë për rritjen ekonomike përveçse rriti taksat në nivel rekord.
“Ai foli sërish me një ton të ri por ishin sulmet e vjetra dhe të lodhura. Ajo çfarë tha Edi Rama nuk ishte e re, duke iu shmangur asaj që presin qytetarët se pse po mban peng integrimin, ai sërish shmangu se çfarë mund të bëjë opozita për të ndihmuar në rritjen ekonomike.
Rama foli për mosmarrëveshjet por nuk dha asnjë përgjigje konkrete se pse po i bllokon ligjet me 3/5 apo 16 ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament”, u shpreh Mustafaraj.
Sipas saj, qytetarët duan të dinë se pse Edi Rama po vijon të bllokojë ligjet për integrimin.