Berisha:Mund të zgjidhim ngërçin

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e ambasadorëve shqiptarë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi europian. "BE përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër", tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka shënuar progres të madh, duke veçauar zhvillimin e zgjedheve."Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa këtë mekanizëm, integrimi do ishte një horizont që largohej prej tyre. Pavarësisht debateve, asnjë qeveri, asnjë institucion nuk ka vënë në diskutim se shqiptarët në 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht. Prandaj ne nuk lejojmë prepotencën e opozitës", theksoi kryeministri.
Berisha tha se janë bërë propozime për dialog me opozitën. Ai pohoi se kjo nuk është një çështje mes tij dhe Ramës, pasi me të ka realizuar reformat më të thella në karrierën politike, por është çështja e respektimit të standardeve dhe të ligjeve të vendit. "Ne jemi të hapur për dialog. Janë bërë disa propozime, shumë prej tyre mund t'i jepen përgjigje përfundimtare. Nuk është çështja e një kundërshtie mes dy liderëve. Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reforma më të thella në karrierë. çështja është qendrimi ndaj ligjeve, transparencës, standardeve të Kopenhagenit. Shqipëria ka të gjitha mundësitë për t'i dhënë përgjigje problemeve të brendshme politike", tha kryeministri.
Berisha iu kërkoi diplomatëve të pasurohen në dije dhe me një master ekonomik. "Ju duhet master në ekonomi pavarësisht fushave ku jeni diplomuar për diplomaci. Duhet t'u dëshmoni vendeve ku qëndroni se Shqipëria është një vend me sisteme fiskale nga më të lirat në Botë. Se potencialet e saj janë të favorshme se ne presim investime", tha ai.
Sa i përket, Kosovës kryeministri i tha se aty është vendosur shteti i së drejtës. Qendrimi ndaj Kosovës, nënvizoi kryeministri nuk ndikon marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera.