E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Ndihma sociale të plotësoj detyrimet për familjet

Për këtë arsye, kreu i qeverisë drejtoi sot një mbledhje për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore, si dhe për strategjitë në luftën kundër mjerimit, në kuadër të prioritetit më të madh që qeveria shqiptare ka në luftën kundër këtij fenomeni në familjet shqiptare.

Në këtë mbledhje merrnin pjesë aktorët kryesorë të angazhuar në reformimin e sistemit të ndihmës sociale, Ministri i Financave, Ridvan Bode, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, Drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, etj. Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan në fillimin menjëherë nga puna të Grupit të Punës, i cili do të merret me reformimin e thellë të sistemit të ndihmës ekonomike, me qëllim një efikasitet më të lartë në shpërndarjen e fondeve në këtë drejtim dhe luftën kundër përfitimeve të padrejta dhe informalitetit në dy grupe shoqërore në nevojë, siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.

Lidhur me këto aspekte u rrahën mendimet e ekspertëve të pranishëm në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësinë e dixhitalizimit të listës së personave me ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë të drejtësisë sociale, etj. Kryeministri Berisha u shpreh se janë shumë familje në zonat rurale të cilat nuk sigurojnë dot bukën çfarëdo që të bëjnë dhe që nuk kanë kushte që të prodhojnë produkte të tjera apo të blejnë bukën, ndaj duhet t'iu sigurohet atyre gruri mbi bazën e kritereve të caktuara.

Kryeministri theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’i shkojnë me përparësi përsëri këtyre zonave rurale me varfëri të thellë, por duhet gjetur mënyra apo skema e duhur për këtë. Berisha nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë, në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe duhet rishikuar se në cilat aspekte do i jepet ndihma kësaj kategorie. Sipas tij, kjo ndihmë, e cila duhet të konsistojë jo vetëm për librat e shkollës, por edhe për ilaçet dhe për të gjitha ato aspekte për të cilat këto grupe në nevojë nuk i përgjigjen dot, do të shtrihet më gjerësisht, si mënyra më efikase në luftën kundër varfërisë e mjerimit.

Duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Financave, Bode theksuan se raste të tilla, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›