E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:PDSH, pro qëndrimit euroatlantik

Integrimi euroatlantik është dhe mbetet ideal kombëtar dhe interesi më i mirë i jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, që përcakton një detyrim madhor, për të cilin duhet të punojnë me vendosmëri të gjitha forcat politike shqiptare. Ky ka qënë vlerësimi i kryeministrit Berisha, i cili gjatë një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë (PDSH), Menduh Thaçi, vuri në dukje dhe zgjedhjet e 8 majit.
 

Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, kryeministri Berisha tha se ky ishte një proces tërësisht transparent, bazuar mbi parimin themelor se vota e lirë e çdo qytetari duhet numëruar, parim që u konfirmua edhe nga vendimet e gjykatës, të cilët kanë pasuruar thellësisht doktrinën juridike shqiptare edhe me gjetjet e konsoliduara në praktikën e pasur gjyqësore të gjykatave të SHBA-së, në këtë fushë. “Përpjekjet e shumta për bllokimin dhe zvarritjen e procesit kishin për qëllim që të mohohej vullneti i shprehur qartë i 762 qytetarëve të Tiranës, çka është e papranueshme për një sistem demokratik, në themel të të cilit qëndrojnë zgjedhjet e lira, të ndershme e demokratike", u shpreh kryeministri Berisha.
 

Nga ana e tij, Thaçi e uroi Kryeministrin Berisha për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 8 majit, si dhe për fitoren në Tiranë. Më tej, Thaçi e falënderoi kryeministrin edhe për kontributin e rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë luajtur dhe vijojnë të dëshmojnë në të gjitha zhvillimet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›