Basha, prezanton nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka prezantuar nënkryetaren e bashkisë, Jorida Tabakun. Ai i kërkoi Tabakut të angazhohet fuqimisht në realizimin e prioriteteve të bashkisë, siç është ai i hapjes së vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik.
Në fjalën e tij, kreu bashkiak, Basha theksoi se edhe përvoja e mëparshme e zonjës Tabaku, është një garanci më shumë për përballjen me sukses të sfidave të mëdha që nënkuptojnë këto dy prioritete.
"Theksoj bindjen time se emërimi i zonjës Tabaku në këtë detyrë është në përputhje të plotë me frymën e Bashkisë së Tiranës. Vënien e interesave të qytetarëve të parët dhe profesionalizmit. Kam besim të plotë se shërbimi ndaj qytetarëve do të jetë refreni i punës së nënkryetares së re të bashkisë", u shpreh Basha.
Nga ana e saj, zonja Tabaku theksoi se do të ndihmojë për nxitjen e punësimit. “Portofoli që do të drejtoj do të jetë ambicioz”, u shpreh ndër të tjera Tabaku.
Më herët ditën e sotme, Jorida Tabaku ka dhënë dorëheqjen nga posti i zv/ministres së Integrimit.