E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Paketë për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Qeveria është duke përgatitur paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së ku theksoi se rritja e pagave dhe pensioneve është një premtim që qeveria po mban ndaj qytetarëve.
 

Sipas tij rritja e pagave dhe pensioneve ka qënë shtylla kryesore e qeverisë së kësaj mazhorance që nga ardhja e saj në pushtetet në 2005 ndërsa shtoi se ajo do të vijojë të mbetet objekti i punës së qeverisë për aq kohë sa shqiptarët do ta votojnë.

“Rritja e rrogave dhe pensioneve apo ndihmës ekonomike përbën shtyllën kryesore të programit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Përbën njëkohësisht faqen e njerëzishme, fytyrën njerëzore të sistemit që ne ndërtojmë. Dua të kujtoj këtu se në vitin 2005 ne gjetëm një sistem rrogash dhe pensionesh ndër më të papërshtatshmit për qytetarët shqiptarë. Gjetëm një sistem pagash i cili ishte ndërtuar fund e krye mbi filozofinë e bllokut ku më kryesorët paguheshin 30 fishin apo 25 fishin e punëtorit të thjeshtë që merrte 4 dollarë në muaj”, theksoi  më tej kryeministri.

Ai gjithashtu kërkoi që të mos lejohet rritja e borxhit publik deri në vitin 2013 ndërsa shtoi se gjatë mandatit tjetër do të behet e mundur edhe ulja e tij.

Duke kujtuar punën bllokuese të opozitës dhe cilësimin e vendimit për rritje rrogash e pensionesh si kriminal, Berisha deklaroi se në harkun kohor të mandatit të parë çdo fermer që merrte pension 34 mijë lekë, firmosi në fund të mandatit pension 72 mijë lekësh; për katër vjetet e parë çdo arsimtar që shpërbehej me 225 mijë lekë në muaj, në fund firmosi për mbi dyfishin, çdo infermier që shpërblehej me 125 mijë lekë, në fund mori 320 mijë lekë, çdo mjek që kishte pagë simbolike firmosi për mbi dyfishimin.

“Ne ia dolëm që me këtë politike humane sociale, e cila ndikonte direkt në xhepat dhe llogarinë familjare të 800 mijë familje, ia dolëm që rrogën mesatare nga 225 mijë ta kalojmë në 520 mijë dhe kjo është arritje e madhe për vendin”- theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›