E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qëllimet e Ramës me “kursin e ri”

"Rama së pari synon të jetë faktor në zgjedhjen e Presidentit. Rama ka vendosur me konsensus me Berishën në 2008 për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Nga ana tjetër, thirrjet opozitare për Topin si kandidat të PS-së kanë komprometuar synimin për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Po ashtu, ndryshimi kushtetues i vitit 2008 për zgjedhjen e presidentit nuk është aplikuar ende asnjëherë deri tani", thekson Islami.

Në një shkrim të publikuar sot në media, Islami thekson se me “kursin e ri politik”, Rama “kërkon të maskojë qëllimet e vjetra, duke ndërprerë bojkotin e parlamentit dhe përdorur njëkohësisht taktika bllokuese e obstruktive brenda Kuvendit". "Në këtë rast, beteja politike opozitare do të zhvendosej në Kuvend (që duhet përshëndetur), ndërkohë që ngërçi politik do të mbetej dhe çështja e fitimit të statusit të vendit kandidat nuk do të avanconte”, shton ai.

Duke renditur arsyet se e dështimit të projektit të opozitës për "amendim të Kushtetutës", ai gjykon se "Rama përmes kësaj taktikë blofuese kërkon të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia e tij direkte për rezultatet në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe nga debatet për dështimin e taktikës së veprimeve radikale dyvjeçare". Rama, sipas tij, kërkon gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga kërkesat e drejta të aleatëve lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2013.

"Aleatët presin nga PS ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe/ose caktimin e një platforme të suksesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme dhe jo ndryshime kushtetuese", mendon Islami.  Sipas tij Rama përmes kësaj taktike kërkon të zhvendosë vëmendjen nga debati për bashkimin e së majtës, duke shpikur njëkohësisht teoritë e “bashkimit me popullin", si dhe të maskojë spastrimet e radhës në forumet drejtuese të PS. /Start/

                                                                                             2011-08-22 12:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›