E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Të mësohet gjuha kineze në shkolla

Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot qeverinë ku ka prezantuar ligjin e ri mbi arsimin parauniversitar. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se ky ligj hartohet mbi bazën e parimeve më të avancuara të arsimit në vendet anëtare të EOCD-së dhe BE-së pasi Shqipëria ka si projekt kryesor integrimin e saj të plotë në BE dhe shndërrimin e këtij vendi në një vend të zhvilluar.
 

“Ligji vjen pas përpjekjesh të mëdha për të konsoliduar arsimin parauniversitar i cili e vërteta është se pas përmbysjes së sistemit komunist dhe kolapsit që pësoi sistemi i shkollave të mesme të arsimit bujqësor, sistem i cili ishte 8-9 herë më i madh se sa ai i gjimnazeve. Në vitin 2005 në ata që mbaronin shkollën 9 vjeçare vetëm 67% e tyre ndiqnin shkollën e mesme. Vitet e arsimimit për frymë ranë nga 11.3 në 9.2. Pra pati një rënie me pasoja jo të vogla, një braktisje masive të arsimit, veçanërisht nga arsimtarët për shkak të rrogave simbolike”, u shpreh Berisha.
 

Sipas tij, gjatë këtyre viteve, për të arritur dhe konsoliduar sistemin e arsimit pasuniversitar janë bërë përpjekje të mëdha. “Kemi shpallur dhe vazhdojmë të shpallim mësuesin në epiqendër të përpjekjeve tona. Rrogat e tyre janë rritur sa në asnjë vend tjetër në përqindje. Shqipëria është ndër vendet e pakta që ka rrogat e mësuesve mbi mesataren në shkallaren e rrogave. Nga 2006 deri më sot rrogat janë rritur 120% dhe kjo ka bërë që nga arsimi të mos largohen dhe ka ngjallur konkurencën dhe ka konsoliduar trupën akademike”, theksoi Berisha ndërsa shtoi se  ligji parashikon nxitjen e ekselencave dhe standarte për përgatitjen e mësuesve.

Gjithashtu sipas kryeministrit ligji  parashikon zyrtarizimin e mësimit të gjuhëve të huaja në Shqipëri përveç anglishtes dhe frëngjishtes. Madje, kryeministri propozoi që në Shqipëri, gjuha e dytë e mësuar në shkolla duhet të jetë gjuha kineze.
“Shqiptarët janë poliglotë të lindur. Askush nuk ka aparatin e të folmes më me lehtësi të gjuhëve se shqiptarët, qoftë grupi anglosakson, apo sllav e kinez. Shqiptarët të hapen më shumë ndaj gjuhës kineze dhe kjo gjuhë bashkë me atë spanjolle të zyrtarizohet si gjuhë e dytë”, tha kryeministri Berisha ndërsa shtoi se  me këtë projektligj vendosen në themel të arsimit parauniversitar standartet më të mira të shkollimit.

vijon...
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›