Integrimi, Sequi: Plani i veprimit sipas rekomandimeve të BE-së

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka kërkuar sot të hidhen hapat konkretet për të realizuar planin e veprimit për integrimin e vendit në BE. Duke folur në në komisionin parlamentar të integrimit, Sequi ka vlerësuar punën e bërë për reformat dhe planin e veprimit por kërkoi që puna për realizimin e këtij plani duhet të bazohet në rekomandimet e BE-së.
Ambasadori Sequi theksoi gjithashtu se vullneti politik është çelsi për realizimin e reformave ndërsa shtoi se një provë e mirë e këtij suksesi është edhe konsensusi që u arrit për Avokatin e Popullit.
Gjithashtu Sequi ka vlerësuar edhe rolin e shoqërisë civile për përmbushjen e reformave në vend. “Shoqëria civile është e lidhur fort me publikun dhe ajo ka rol në demokraci dhe në shtetin e së drejtës” ka shtuar Sequi.
Ambasadori i BE-së në Tiranë Sequi ka theksuar se do të vizitojë sërish Tiranën edhe Drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino. Sipas tij, vizita e Sanninos në Tiranë tregon rëndësinë që Bashkimi Europian i jep procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.