Berisha: Shqiptarët janë poliglotë të lindur, me detyrim dhe kinezçja
Ndërsa një pjesë e madhe e shkollave të vendit vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga reshjet e borës, ligji për arsimin parauniversitar është bërë tema kryesore e mbledhjes së qeverisë.
Kryeministri Berisha theksoi se ligji për arsimin parauniversitar synon zgjerimin e arsimit parashkollor, nxitjen e ekselencave dhe rritjen e numrit të gjuhëve të huaja me detyrim në shkolla, mes të cilave edhe kinezçja.
Ky ligj do të bazohet në gjuhën amtare, krijon mundësi për zgjerim të arsimit parashkollor. Ai parashikon nxitjen dhe trajtimin e ekselencave. Ato janë një energji e veçantë për të cilën shoqëria duhet të ketë kujdes të veçantë. Ligji parashikon standard të ri për përgatitjen e mësuesve. Kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve do të përfshihet në ligj. Ligji rrit autonominë e shkollave tona, jep një pozicion të ri për rolin e prindërve dhe nxënësve në istemin tonë arsimor. Me rëndësi mësimi i 2 gjuhëve të huaja. Shqiptarët janë poliglotë të lindur. Askush nuk ka aparatin më të përshtatshëm për të folur çdo gjuhë se shqiptarët.
Shqiptarët duhet të hapen më shumë edhe ndaj spanjishtes dhe kinezçes. Sistemi ynë duhet të pasqyrojë botën në të cilën jetojmë. Kjo botë flet vetë ndaj dhe është e domosdoshme që në sistemin tonë arsimor në përqindje të caktuar krahas gjuhëve të tjera të mëdha, detyrimisht të jetë si gjuhë e dytë dhe gjuha kineze, tha Berisha.
Një tjetër çështje në të cilën u ndal kreu i qeverisë ishte edhe vlerësimi i figurave të komunitetit bektashian në 100-vjetorin e pavarësisë përmes inagurimit të Kryegjyshatës Botërore. Sipas tij, themeluesit e shtetit shqiptar ishin pjesë e komunitetit që sot ka përkrahjen më të vogël.
Do të përfundojmë tempulllin e Kryegjyshatës Botërore. Ata që themeluan pavarësinë ishin edhe bektashinj. Ata ishin në linjën e parë të patriotizmit kombëtar. Edhe përkrahjen e kanë pasur më të vogël. Duhet ta inagurojmë me rastin e 100 vjetorit, tha Berisha. / G.N.