E Diel, 1 Nëntor 2026

Berishën e tërbon slogani i opozitës: Mjerë ai që u zë rrugën e Zotit shqiptarëve

Slogani i opozitës E vetmja rrugë duket se ka trazuar kryeministrin shqiptar, i cili në çdo takim elektoral i kushton një pjesë të mirë të fjalimit këtij slogani. Kudo që shkon e ka për detyrë që të flasë për këtë zgjedhje të opozitës. Por në Laç ai ka habitur të gjithë kur ka kërcënuar duke thënë mjerë ai që u zë rrugën e Zotit shqiptarëve. Madje në Pogradec, duke folur për çështjen e sloganit, Berisha ka rrëfyer takimet e tij të afërta me Ramiz Alinë. Nuk duhet harruar se në Pogradec ai takohej edhe me familjen Hoxha.

Laç

Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, djersës, e premtimit, e mbajtjes së fjalës, e shkollave, kanalizimeve, turizmit, kopshteve e fermave të zhvilluara private. Në këtë alternativë secili ka rrugë e tij, rrugën që zgjedh, rrugën me të cilën ai mendon të ndërtojë më mirë jetën e tij. Krahas kësaj alternative, na doli edhe ajo e rrugës së vetme. Nga Kurbini dua ti them dy fjalë zotit Rama; i nderuar zotëri, ne të gjithë që jemi këtu, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rroga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund tua zërë, mund tua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka  besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon. Kurse ajo që ofron shoku apo zotëria, është rruga e vetmisë, rruga pa kthim. Por ai ka bërë zgjedhjen e tij.

Librazhd

Alternativa jonë është alternativa juaj. Përballë saj ka një alternativë tjetër e cila thotë se “jam rruga e vetme”. Në fakt, rruga e vetme është rruga e vetmisë së thellë, është rruga pa kthim. Qytetarë të Librazhdit, secili nga ju ka rrugën e tij dhe kurrë mos ia lejoni kujt t’ju marrë rrugën. Rrugën ju e ndërtoni me virtytet tuaja, me moralin tuaj, me djersën e mundin tuaj. Ata që ju ofrojnë juve rrugën e vetme, ata ju ofrojnë rrugën pa kthim. Kurse ne, së bashku do të ecim përpara, duke plotësuar interesat tona, qëllimet tuaja, duke e shndërruar Librazhdin në qytet të zhvilluar, duke krijuar vende pune, duke rritur punësimin, rritur rrogat, pensionet. Ndaj dhe ju ftoj që në 8 maj të votoni për “Aleancën për Qytetarin”, të votoni për Shefki Çotën dhe ju garantoj se do të shndërrojmë në realitete çdo projekt të këtij qyteti, të këtij rrethi.”

Pogradec

Krahas kësaj alternative është ajo e rrugës së vetme, e rrugës pa kthim, e rrugës që shqiptarët më shumë dhe më tragjikisht se çdo komb tjetër e provuan në 45 vite. Unë nuk kam ndërmend të merrem, të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda, me disfatat politike të Edi Ramës, as me betejat e tij politike. Por dy gjëra do të theksoj këtu para jush. 21 vjet më parë, unë, ish mjeku që kaloja çdo verë pushimet në këtë qytet, takova në një takim me intelektualë Presidentin e asaj kohe dhe i thash se duhet të hiqte nga Kushtetuta atë nen që i jepte Partisë së Punës rolin hegjemon dhe se partia duhet të kishte atë rol që meriton me vota. Ai mu kthye dhe tha: kurrën e kurrës! Unë iu përgjigja: never say never! (Kurrë mos thuaj kurrë). Kur dje pash në televizor se si shoku Edi Rama kishte nxjerr një spot ku thoshte kurrë më. Dua ti them shokut Rama: kujdes nga kurrë më se fatin e Ramizit do të pësosh, pension të parakohshëm dhe shumë shpejt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›