E Diel, 1 Nëntor 2026

Berishës ia dha çmimin për mbrojtjen e demokracisë Astrit Memia

Share

Kryeministri Sali Berisha mori në një universitet privat në Tetovë çmimin tradicional për lidership, që e jep Instituti për Demokraci e Zhvillim. Motivacioni i këtij çmimi ishte: Për Lidership të suksesshëm në promovimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri, për udhëheqjen e reformave demokratike dhe sukseset në integrimin euroatlantik të vendit, si dhe rolin e Tij në rajonin e Ballkanit.

Po kush ia dha këtë çmim Berishës? Në njoftimin për shtyp të kryeministrisë thuhet se Instituti që i dha çmimin Berishës drejtohet nga Veton Latifi. Ky person mori para pak kohësh çmimin për imazhin shqiptar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Çmimi jepej nga Forumi për Imazh dhe Media në Shqipëri, i drejtuar nga Astrit Memia. Për më tepër çmimet u ndanë në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Memia dha një çmim për mikun e tij, Veton Latifi, kurse ky i fundit i dha Berishës një çmim për lidership. Astrit Memia ka punuar në zyrën e shtypit pranë PD. Tani mban një sërë titujsh si docent apo doktor, që i ka fituar në universitetet e shqiptarëve të Maqedonisë. Këto të fundit njihen si fabrika diplomash ndër ambientet shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›