E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni i Liri Berishës: Po kërkojnë para në emrin tonë

Share

Fondacioni Fëmijët shqiptarë i Liri Berishës ka denoncuar faktin se disa persona janë duke kërkuar para në emër të këtij fondacioni.

Sipas fondacionit, duke u bazuar në deklaratat e disa qytetarëve, disa grupe vajzash janë paraqitur disa herë në familje të ndryshme në Tiranë, për të kërkuar kontributin e tyre financiar në emër të shoqatës së drejtuar nga Liri Berisha.

Por, fondacioni i drejtuar nga Liri Berisha ka deklaruar se këta persona nuk kanë lidhje me këtë fondacion, ndërsa ka kërkuar nisjen e hetimeve nga ana e policisë.

Prej disa vitesh Fondacioni Fëmijët Shqiptare, organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse, dhe personalisht Zj. Berisha i kanë dedikuar kohën dhe vëmendjen maksimale fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe familjeve të tyre. Puna ka qenë e përqëndruar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për këto çrregullime dhe në ofrimin e shërbimeve për fëmijët e familjet e tyre. Veprimtaria e Fondacionit është mbështetur fuqimisht nga donacionet direkte të biznesit shqiptar e atij të huaj si dhe nga shumë organizata partnere ndërkombëtare. Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e strukturuar, institucionale dhe transparente, gjë e cila ka ndihmuar Fondacionin të ketë arritje pozitive si në rrafshin kombëtar, në atë rajonal e më gjerë thuhet në deklaratën e fondacionit.

Megjithatë, financimi i fondacionit të Liri Berishës ka qenë object debate, pasi mendohet që biznesmenë të ndryshëm, për të pasur favore nga kryeministri Berisha, paguajnë për këtë fondacion.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›