Berlusconi: Fal Tartaglia-n, por gjykata të veprojë ashpër
Silvio Berlusconi ka falur Massimo Tartaglia-n, njeriu që e sulmoi një javë më parë në Milano, por në të njëjtën kohë mendon se, duke gjykuar veprimin e tij, gjykatat duhet të ketë parasysh faktin se nuk mund të kalohet lehtë mesazhi se kryeministri i vendit mund të sulmohet, dhe se ky post, ky institucion duhet mbrojtur. Lajmi është bërë i ditur nga agjensitë italiane të lajmeve, sipas së cilave një arsyetim i tillë i presidentit të Këshillit te Ministrave vjen nga Arcore, vendi ku po qëndron aktualisht Berlusconi. Deklarata është bërë gjatë një konference telefonike me selinë e partisë së tij në Romë , ndërsa ka dhënë edhe urimet për Krishtlindje.
Duke iu rikthyer çështjes së agresionit në sheshin "Duomo", Berluskoni shpjegoi se falja pë Tartaglia-n ishte njerëzore. "Ju e dini se nuk mund të mbaj mëri, apo të zemërohem", ka thënë kavalieri, duke iu drejtuar bashkëbiseduesve të tij. Ndër të tjera, kreyministri italian shtoi edhe se nëse statuja që e goditi do të ishte hedhur pak cm më lart, ai ndoshta do të kishte nën tokë tashmë apo mund të kishte humbur njërin sy. "Sulmi në Piazza Duomo", tha kavalieri, "ishte rezultat i një klime urrejtjeje".
Së fundmi nga disa sondazhe të zhvilluara për popullaritetin e Berlusconit, u mësua se pas sulmit, kryeministri gëzon një përkrahje personale më shumë se 65 % në radhët e italianëve, ndërsa partia e tij ka një mbështetje prej 40 %.