Itali, sekuestrohen asetet e klanit mafioz Ndrageta
Dy kompani, disa automjete, shumë llogari bankare dhe disa prona të paluajtshme janë ndër asetet që i përkisnin Natale Perrit, 45 vjeç dhe Rozzo Azzaros, 55 vjeç. Perri, një bos i klanit mafioz nga një qytezë pranë Kozencës, u dënua pak kohë më parë me 13 vjet heqje lirie me akuzën e trafikut të drogës, që e ka ndihmuar organizatën “Ndrageta” të bëhet klani më i pasur mafioz në Itali. Azzaro, që besohet se ka qenë një nga personat më të besueshëm të Perrit, u arrestua në vitin 2004 me një sasi të konsiderueshme droge. Ai aktualisht është i lirë por nën survejimin e policisë. Aksioni i sotëm pason një operacion madhor që nisi dje për të goditur trafikun e “Ndragetës” me produktet e falsifikuara kineze.