Berluskoni: Italia, avokati i Shqipërisë drejt BE-së
TIRANË- Edhe pse me vonesë nga ora që ishte parashikuar në axhendë, Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku fillimisht u takua me Kryeministrin Sali Berisha. Nga takimi i zhvilluar, qoftë me Kryeministrin Sali Berisha, por edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, siguroi se Italia do të jetë avokati i Shqipërisë në hapat drejt BE-së. “Tashmë kemi një arritje shumë të rëndësishme të Shqipërisë, besoj edhe falë mbështetjes italiane, që është ajo e hyrjes së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. Kjo është një politikë që unë personalisht e ndjek prej kohësh dhe do të vazhdoj ta ndjek, sepse besoj se të gjitha këto konfliktet etnike dhe konfliktet ndërkombëtare që, fatkeqësisht ende vazhdojnë këtu në zonën e Ballkanit, do të marrin fund njëherë e përgjithmonë, vetëm me hyrjen e plotë të këtyre vendeve ballkanike në familjen e vendeve evropiane”,- u shpreh Berluskoni. Pyetjes së drejtuar nga media, mbi liberalizimin e vizave, Berluskoni iu përgjigj pozitivisht, duke pohuar se përkrahte deklaratën e bërë pak kohë më parë nga ministri i tij i Jashtëm, Franko Fratini, sipas të cilit, liberalizimi i vizave më Shqipërinë, do të merrte udhë në vitin 2009.