Takimi, Berisha flet italisht për mediat shqiptare
TIRANË- Takimi zyrtar i Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni me Kryeministrin Sali Berisha, u shoqërua nga një atmosferë krejt miqësore dhe, deri diku, jashtë protokollit të parashikuar. Kryeministri i Italisë, Berluskoni, u shfaq jo shumë zyrtar gjatë momenteve të caktuara të vizitës së tij disaorëshe në Shqipëri. Berluskoni ka shkëmbyer fillimisht batuta me ministrat e kabinetit qeveritar, e konkretisht me atë të Financave, Ridvan Bode, i cili ishte një ndër zyrtarët e lartë që i uroi mirëseardhjen, teksa Berluskoni po hynte në ambientet e Kryeministrisë. Aq i lirshëm ishte Kryeministri italian gjatë takimit me Berishën, sa ky i fundit zgjodhi të fliste italisht gjatë konferencës për shtyp, një fenomen ky që, sado pozitiv mund të tingëllojë në sytë e Kryeministrit italian, nuk mund të përcillet në të njëjtën formë për shqiptarët. Edhe pse ky veprim u interpretua si shenjë miqësie nga ana e të dy kryeministrave, Kryeministri Berisha la, në fakt, një shije të hidhur për të gjithë ata që e dëgjonin, qoftë drejtpërdrejt, por edhe përmes mediave vizive. Madje, as vetë përkthyesja, e cila mori përgëzimet më të mira nga Kryeministri i Italisë, nuk mori përsipër që të përkthente në shumë momente italishten e Berishës. Ajo që u vu re gjatë konferencës për shtyp, ishte edhe mënyra jo zyrtare e të drejtuarit ndaj njëri-tjetrit. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, më shumë se një herë iu drejtua Berishës në emër. “Faleminderit shumë miku im Sali, Kryeministër i Shqipërisë, për mikpritjen shumë të ngrohtë që më rezervuat sot”,- ishte një ndër etiketimet e Kryeministrit italian.