E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku, Shqipëria, strehë për emigrantët e padëshiruar nga BE-ja

Drafti “Për Azilin”, i krijon hapësirat çdo shtetasi të huaj që i refuzohet qëndrimi në një nga shtetet e BE-së dhe që gjatë ndalimit ka deklaruar se ka kaluar nga Shqipëria, për t’u pritur në mënyrë të detyrueshme nga vendi ynë

TIRANË- Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend strehimi për të gjithë emigrantët e padëshiruar nga vendet e Bashkimit Evropian, përfshi këtu afrikanë apo edhe aziatikë. Kjo pasi, kuadri ligjor ekzistues, edhe ai që është në proces miratimi në Kuvend, pra projektligji “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”, i krijon hapësirat e duhura çdo shtetasi të huaj që i refuzohet qëndrimi në një nga shtetet e BE-së dhe që gjatë ndalimit ka deklaruar se ka kaluar nga Shqipëria, për t’u pritur në mënyrë të detyrueshme nga vendi ynë. Megjithëse drafti që pritet të rregullojë procedurat e dhënies së azilit, është ende në Kuvend, deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kanë ngritur dje shqetësimin për rrezikun që mbart miratimi i tij, sipas propozimit të bërë nga Ministria e Brendshme. Ka qenë pikërisht ish-Kryeministri Pandeli Majko ai që, duke iu referuar nenit 28/1 që kërkohet t’i shtohet ligjit ekzistues, ka ngritur këtë problem, duke kërkuar njëkohësisht shpjegime nga drejtori juridik i Ministrisë së Brendshme, Sokol Shehi dhe drejtoresha e zyrës së Emigracionit në këtë ministri, Ingrit Çuto, nëse rrezikon vendi ynë nga zbatimi i marrëveshjeve të ripranimit me vendet e BE-së dhe këtij ligji. Sipas tij, ajo që bie në sy, në pamje të parë, nga zbatimi i këtyre dy normave ligjore, është pikërisht mundësia që Shqipëria të shndërrohet në një hapësirë ku, jo vetëm të kthehen një pjesë e mirë e emigrantëve të padëshiruar nga vendet e BE-së, por edhe në një vend, i cili në bazë të projektligjit të ri të azilit, duhet t’i pranojë dhe të japë mbrojtje për ta. “Kam një shqetësim për nenin 28/1 që kërkohet të vendoset në ligjin ekzistues dhe flet për mosdhënien e azilit si rrjedhojë e ardhjes nga një vend i tretë i sigurt. Kam përshtypjen se me këtë po krijojmë kushtet për ta kthyer Shqipërinë në një mundësi strehimi për të gjithë zezakët e Afrikës që tentojnë të shkojnë në Evropë. Dhe ajo që është më e keqja, në bazë të marrëveshjeve të ripranimit dhe këtij neni të këtij projektligji, ne, jo vetëm që jemi të detyruar të ripranojmë të gjithë ata emigrantë që deklarojnë se kanë kaluar nga Shqipëria, por edhe t’u japim atyre mbrojtje, dhe pse jo azil”, - tha Majko. Këtij shqetësimi nuk i janë përgjigjur dot specialistët e Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë kërkuar kohë që të konsultohen me marrëveshjet e ripranimit që vendi ynë ka nënshkruar, kryesisht me shumicën e vendeve anëtarë të BE-së për të dhënë një përgjigje të saktë për këtë çështje. Ndërkohë që, shqetësimi i ngritur nga Majko, ka gjetur mbështetje edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ka theksuar se duhet një përgjigje e saktë për këtë problem, pasi rreziku ekziston. Ai ka sqaruar se marrëveshjet e ripranimit janë dokumente ligjorë që nënshkruhen me shtete të tjera të gjitha të sigurta, në bazë të të cilave shteti shqiptar merr përsipër të strehojë të gjithë personat azilkërkues, në ato vende kur këto persona kanë ardhur nëpërmjet Shqipërisë. Prandaj edhe Rusmali kërkoi nga dy përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme sqarime, nëse një projektligj i tillë do të krijonte kundërvënie me marrëveshjet e ripranimit që vendi ynë ka nënshkruar dhe po nënshkruan, kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që përpara se ta kalojë draftin për votim në seancë plenare, ta ballafaqojë edhe një herë nenin 28/1 të tij me marrëveshjet e ripranimit që qeveria shqiptare ka nënshkruar me vende të zhvilluara. “Z. Majko ju bëri një pyetje lidhur me raportin mes nenit 28 dhe marrëveshjeve të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e zhvilluara. Prandaj duhet që të na sillni një shpjegim me shkrim për këtë çështje, pasi mund të ndodhë që të lidhim marrëveshje dhe pastaj miratojmë ligj dhe nuk i respektojmë ato”, - tha Rusmali. Kjo ishte pika e vetme që ngjalli debat në seancën e djeshme të komisionit të Ligjeve, pasi pothuajse të gjitha nenet e tjera janë kaluar me konsensus maksimal mes palëve. Projektligji synon plotësimin e kuadrit ligjor në përmbushje të standardeve të Konventës së Gjenevës dhe protokollit të Nju Jorkut, për respektimin e parimit të moskthimit të individit në atë vend që përbën rrezik për jetën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›