E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, Kryeministër për herë të tretë

Silvio Berluskoni është kthyer sërish. Sipas rezultateve paraprake të votimit dyditor, miliarderi 71-vjeçar dhe aleatët e tij të qendrës së djathtë po kthehen në pushtet. Gjithsesi, diferenca me kampin rival, qendrën e majtë, është e ngushtë, pothuajse e njëjtë me atë të dy viteve më parë, që rezultoi të ishte e pamjaftueshme. Rezultatet paraprake, të projektuara pak orë pas mbylljes së procesit të votimit, treguan se kandidati i qendrës së majtë, Valter Veltroni, ish-kryebashkiaku i Romës, kishte fituar terren në ditët e fundit të fushatës elektorale. Në votën për në senat, në të cilën marrin pjesë vetëm zgjedhësit e moshës mbi 25 vjeç, Populli i Lirisë, i Berluskonit, kryesonte me rreth 3 për qind më shumë. Në zgjedhjet për Dhomën e Ulët të Parlamentit Italian, Dhomën e Deputetëve, ku kufiri i poshtëm i moshës së lejuar për votim është 18 vjeç, diferenca mes dy partive është rreth 2 për qind. Në të dyja rastet, shkalla e gabimit është rreth 4 për qind, e mjaftueshme për të lejuar një përmbysje të situatës në çdo moment. Shumëçka do të varet nga rezultati i partive më të vogla. Exit poll-et, e projektuara që herët nga televizioni shtetëror italian, RAI, i jepte atyre 16.20 për qind të votave. Dy parti në veçanti, mund të përcaktojnë rezultatin, Unioni i Qendrës dhe Kristiandemokratët, që janë renditur përkrah Berluskonit dhe Ylberi i të majtës, që përfshin marksistët dhe të gjelbrit dhe që më herët kanë qenë të bashkuar me të majtën. Edhe transmetuesit e tjerë italianë, paraqesin një panoramë të ngjashme. Sipas "Sky Italia", partia e Berluskonit ka marrë rreth 42 për qind të votave, ndërsa ajo e Veltronit është ndalur në 40 për qind në garën për dhomën e ulët. Në Senat, Berluskoni kryeson sërish me 42.5 për qind, krahasuar me 39.5 për qind të Veltronit. Kryesimi ka një shkallë gabimi prej +,- 2 pikësh. Ndërkohë, sondazhet e kryera para zgjedhjeve, flisnin për një avantazh prej 5 deri në 9 për qind të së djathtës. Votimet e djeshme u mbyllën dje pasdreke, në përfundim të një procesi që zgjati një ditë e gjysmë dhe një fushate që pasoi rënien e qeverisë së qendrës së majtë të Romano Prodit, më 28 janar. E ndërsa të dy kandidatët kryesorë ofronin programe pothuajse të njëjta. Gara ishte monotone deri në javën finale, kur Veltroni u duk se ngushtoi diferencën me Berluskonin, favoritin e dukshëm që kërkonte me ngulm rikthimin në pushtet. Qeveria e ardhshme italiane përballet me detyrën e paevitueshme të përballjes me një ekonomi të sëmurë dhe kjo ishte reflektuar edhe në retorikat kryesisht të matura të fushatës. Një nga lajmet që ndihmoi në rënien e administratës "Prodi", ishte edhe ai i dhënë nga Bashkimi Evropian, sipas të cilit, ekonomia italiane ishte lënë prapa nga ajo spanjolle. Tjetër simptomë e dështimit të vendit ishte edhe kriza e plehrave në Napoli dhe rajonin përreth tij. Të dy kandidatët kryesorë për postin e Kryeministrit, kishin premtuar një ulje modeste taksash dhe më shumë shpenzime, që siç insistojnë ata, mund të funksiononin nëse shoqëroheshin me një program të gjerë të shitjes së aseteve publike. Në planin afatshkurtër, detyra kryesore me të cilën ndeshet lideri i ardhshëm i Italisë, është ajo e zgjidhjes së çështjes së bllokuar të shitjes së "Alitalia"-s. Bisedimet mes sindikatave dhe blerësit të vetëm, të mundshëm, "Air France-KLM", kanë mbetur në vend, pasi Berluskoni kishte deklaruar se oferta franko-holandeze ishte e papranueshme. Ai ngriti edhe perspektivën e një konsorciumi tërësisht italian blerësish, por asgjë nuk është materializuar ende. Rezultatet e para të zgjedhjeve u bënë publike pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve, por këto të fundit, në Itali, zhvillohen nën një sistem shumë kompleks sipas të cilit votat nuk përkthehen domosdoshmërisht në vende në Parlament. Kjo është veçanërisht e vërtetë në senat, ku, në çdo rajon, partia fituese merr një "bonus fitoreje". Të mbledhura bashkë, ato mund të kenë një efekt vendimtar në rezultatin total.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›