Ndizet e majta. Meta: Asambleja e PS-se, forum tradhtaresh
Ilir Meta shpërtheu dje në akuza ndaj lidershipit të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e konventës kombëtare, kreu i LSI-së nuk i kurseu aspak tonet e larta ndaj ish-aleatëve. "Për fatin tonë të keq, tashmë në krah të Doktor Rrumpallës është vendosur me krenari kryetari i radhës i Partisë Socialiste", konstatoi ai. Meta pranoi se është i tronditur, por jo dhe aq shumë i befasuar, që anti-Berisha më i egër i të gjitha kohërave ka ulur kokën butësisht në gijotinën e Kryeministrit. "Ashtu sikurse jam i çuditur nga ngrefosja e paturpshme, me të cilën ai dhe lakenjtë e tij, që më parë kanë qenë gjithë lakenjtë e kryetarëve dhe kryeministrave të PS-së, e shesin këtë tradhti para popullit shqiptar dhe para vetë opozitës", u shpreh Meta. Sipas të cilit, për kryetarin e radhës së PS-së, nuk është problem që një ditë të shfaqet si antisocialist i tërbuar dhe një ditë tjetër si kryetar i socialistëve. "Një ditë si militant i tërbuar i PS-së dhe ditën tjetër si qytetar dhe pa parti; një ditë të jesh anti-Berisha më i madh, një ditë të përjashtosh 6 deputetë se bashkëpunojnë me Berishën, por vetëm pak muaj më vonë të mburresh se bashkëpunon vetë me të", nënvizoi Meta. Ai kujtoi se Rama një ditë e damkosi Fatos Nanon si ortak i Berishës dhe politikës së vjetër, por pak muaj më vonë ia kaloi edhe atij për dashurinë ndaj Doktor Rrumpallës. "Një ditë ta damkosësh Berishën si kriminel dhe dy ditë pas krimit t‘i rrahësh shpatullat Sali Berishës dhe t‘i thotë jemi bashkë", tha Meta. Sipas tij, nuk ka aspak rëndësi se çfarë përfaqëson sot kryebashkiaku që e ka harruar Tiranën dhe që vrapon të shkojë në një fshat të Pukës 5 orë, për të zbuluar se sa e varfër është atje popullsia. "Kur vetëm 5 minuta me makinë nga zyra e tij mund të shikojë se në çfarë mjerimi banojnë ata që ai duhet t‘i qeverisë banorët e Laprakës, Alliasit, Kombinatit, Sharrës dhe të shumë zonave të tjera", insistoi Meta. Sakaq, ai konstatoi se mjafton të shkojë në një ceremoni varrimi për të parë se prej vitesh nuk ka vende as për të varrosur njerëzit dhe duhet të paguash njerëzit e bashkisë për të varrosur të afërmit. Megjithatë, sqaroi ai, ne nuk jemi aspak të penduar që nënshkruam për koalicionin opozitar dy vjet më parë. Me tej, Meta u ndal te Kodi i ri Zgjedhor i propozuar nga PS-ja e PD-ja, duke deklaruar se modeli spanjoll sjell probleme të mëdha. "Me kodin që duan të bëjnë këta, deputetët kthehen në rrogëtarë të dy partive", nënvizoi Meta, sipas te cilit, koalicioni opozitar është shkatërruar çdo ditë e më shumë nga kreu i PS-së, i cili i ka hapur rrugë përmes një aleance Berisha-Rama. "Me sistemin që duan të propozojnë, PS e PD duan të përjashtojnë vullnetin politik të 1/3 së shqiptarëve që kontribuojnë më shumë për vendin", nënvizoi kreu i LSI-së. Në vijim të fjalës së tij, Meta vuri theksin në rënien ekonomike të vendit gjatë qeverisjes "Berisha", duke theksuar se, tregues i mënyrës së qeverisjes është realiteti i mjeruar. "Edhe raporti më i fundit i OKB-së tregon qartë katastrofën ekonomike në të cilën ndodhet vendi ynë, që drejtohet nga një qeveri e paaftë", u shpreh Meta, i cili shtoi se, "do të vazhdojmë në mënyrë të vendosur të kërkojmë largimin e Kryeministrit, sepse është një barrë e madhe e shqiptarëve për të ardhmen evropiane, sepse është një Kryeministër me të cilin shqiptarëve do t‘u duhet të presin 40 vjet që të arrijnë të ardhurat si një vend që është në eurozonë". LSI-ja siguroi se do të vazhdojë të luftojë për të garantuar që gjithë shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre nëpërmjet përfaqësimit në sipërmarrjet politike. Kreu i LSI-së preku edhe reformat që i duhen vendit në fushën e bujqësisë, çështjes së pronave, mjedisit etj.
Deputeti socialist, Taulant Balla, kritikoi dje veprimet e fundit të drejtuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një komunikim me median ai sqaroi se "akti i bashkimit të grupimit të Ilir Metës me partinë e Sali Berishës në Fier për karrigen e drejtorit të ujësjellësit është shprehja më e qartë dhe e paralajmëruar e rikthimit të tij në batakun e politikës së vjetër". Balla argumentoi se kjo është politika e fjalëve të bukura për të gënjyer popullin dhe e veprimeve jo parimore për të rrëmbyer karrige. "Ethet e karriges kanë ripushtuar Ilir Metën dhe kanë errësuar arsyen e tij, duke e kthyer grupimin e vet politik në një ngrehinë mllefi të politikës së vjetër", theksoi Balla. Në shërbim të kësaj politike të vjetër, shtoi ai, Meta sulmon dhe akuzon Partinë Socialiste për reformat e domosdoshme në interes të të gjithë shqiptarëve. "Ndërsa, nga ana tjetër, në një lojë të ulët kulisash bashkon votat me Partinë Demokratike, për të shkarkuar kryetarin socialist të Këshillit Bashkiak dhe për të marrë si shpërblim një karrige drejtori", nënvizoi Balla. Ai gjeti rastin të shprehë keqardhje, që grupimi i Metës u kthye te gjuha e vjetër e mllefit primitiv ndaj të gjithëve dhe te projekti megaloman i karriges kryeministrore për shefin e LSI-së, i cili me sa duket për atë karrige është gati të kacafytet me gjithë botën. "Mllefi nuk është as filozofi dhe as argument, e nuk ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë, për të cilën PS-ja do të vazhdojë të punojë e vetëdijshme për misionin e saj", përsëriti Balla.