E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e drithërave. Tani bota ka uri

Në Egjipt, 12 mijë njerëz janë arrestuar, sepse shisnin miell në treg të zi. Në Filipine, e përfshirë nga paniku për një krizë të rëndë ushqimesh, qeveria kërcënon se do të dënojë me burg të përjetshëm të gjithë ata që blejnë oriz dhe e rishesin me çmim më të shtrenjtë. Kudo, nga Afrika në Pakistan, nga Tajlanda në Meksikë, drithërat, ari i ri i fushave, mbrohen si një e mirë e vlefshme: në pritje të të korrave, terrenet ruhen nga roja të armatosura. Deri dje, në Perëndimin e pasur, të gjithë janë shqetësuar vetëm për çmimet e naftës. Sigurisht, vazhdonte të rritej edhe çmimi i bukës dhe makaronave, por ushqimi zë vetëm 15-18 për qind të bilancit të një familjeje evropiane (10-14 për qind në ato amerikane). Tani, krejt papritur, zbulohet se dyfishimi i çmimit të grurit, misrit, orizit dhe sojës, po trondit botën: Shtete që besonin se e kishin mundur urinë, rikthehen në gjendjen e disa dekadave më parë. Organizata Botërore e Ushqimit, denoncon se në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, 36 vende rrezikojnë luftën civile. Janë vende shumë të varfra, në të cilat njerëzit shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre, shpesh dy të tretat, për t‘u ushqyer. Në shumë raste, nga Haiti në Kenia, kanë shpërthyer edhe revolta të ashpra e madje të përgjakura. Qeveritë reagojnë me masa policore dhe me bllokimin e eksportit çka edhe po dëmton tregtinë ndërkombëtare në një periudhë të trazuar edhe më herët nga kriza e kredive dhe nga stuhitë valutore: Kina dhe Vietnami, prodhues të mëdhenj të orizit, kanë vendosur të kufizojnë shitjet jashtë vendit. Rusia ka bllokuar për 60 ditë eksportin e drithit. Argjentina, takson gjithnjë e më shumë eksportet e produkteve të saj bujqësore në përpjekje që të bllokojë rritjen e çmimeve në tregjet e brendshme. E pra, shumëkush besonte se e ke ishte zgjidhur një herë e mirë çështjen e varfërisë dhe ishte zhdukur të paktën uria, por ndërkohë në botë, ka ende 1 milion njerëz të kequshqyer. Në plot 15 vite, që nga 1990-a e deri në mesin e kësaj dekade, numri i tyre kishte rënë ndjeshëm me plot 278 milionë. Një tendencë pozitive që dukej e destinuar të zgjaste. Uria nuk konsiderohej më pasojë e mungesës së ushqimeve, por paaftësi e shpërndarjes së ndihmave për të varfrit e botës: depozitat në fakt ishin plot, aq sa ekonomisti dhe mbajtësi i çmimit "Nobel", Amartja Sen, mund të pretendonte se duke i vënë njëri pranë tjetrit, thasët e miellit dhe orizit të rezervës shtetërore indiane, do të mbulonin tërë distancën vajtje-ardhje mes Tokës dhe Hënës. Por, sot, ato rezerva janë pakësuar dhe India, fuqi e re e industrisë dhe shërbimeve informatike, vëzhgon qiellin me frymën pezull: pas ndonjë jave, vjen koha e korrjeve që duhet edhe të zbusë urinë e 1 miliardë e 100 milionë personave. Por, ndryshimet e klimës po e trazojnë këtë cikël. Nëse kushtet e motit do të jenë si ato të 2002-it, të korrat mund të reduktohen deri në masën 20 për qind: 30 milionë tonelata grurë më pak. Do të ishte një katastrofë. Siç thuhet në fakt, rezervat janë në minimum dhe tregjet në këtë moment janë braktisur nga prodhuesit e mëdhenj. Autoritetet indiane dridhen dhe pendohen për mungesën e vizionit të tyre. Dhe nuk janë të vetmet: pas revolucionit të gjelbër të viteve ‘70 që dyfishoi rendimentin e fushave, në tërë vendet e botës së tretë, prodhimi mbeti në vend numëro. Faji i qeverive, por edhe i agjencive ndërkombëtare që reshtën së promovuari investimet në zhvillimin e bujqësisë. Kur konsumi filloi të rritej, për shkak të biokarburanteve pak të kushtueshme dhe që prodhohen nga drithërat, nuk mbeti zgjidhje tjetër veçse të prekeshin rezervat strategjike. Ndërkohë, shtohet gjithnjë e më shumë zemërimi i popullatës. E Banka Botërore paralajmëron se fenomeni i rritjes së çmimeve do të vazhdojë për disa vite. Do të ketë rritje deri në fund të 2009-ës dhe më pas, ato do të stabilizohen. Por, kthimi në normalitet nuk do të mund të arrihet para 2015-ës. Por ndërkohë, mund të harrohen çmimet e ulëta të 30 viteve të fundit. Në planin afatshkurtër, në mënyrë krejt paradoksale, shpresohet te recensioni amerikan: duke ngadalësuar rritjen e ekonomisë botërore, në përfundim mund edhe të frenohet bumi i kërkesës për ushqim të Azisë. Por në anën tjetër është edhe shtysa për absorbimin e vëllimeve në rritje të drithit për prodhimin e biokarburanteve: një fenomen që nuk do të ndalet edhe pse amerikanët po e kuptojnë se etanoli redukton si varësinë energjetike të SHBA-së, por ka edhe pasoja negative mbi ambientin, mbi të gjitha për shkak të absorbimit të madh të burimeve hidrike. Në përfundim, rikthehet domosdoshmëria për të rritur prodhimet e drithit. Por terrene të kultivueshme, nëpër botë, nuk kanë mbetur shumë. Për këtë arsye, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, u kërkon vendeve më të goditura të nisin një revolucion të ri, të gjelbër, që do të jetë në gjendje të rrisë në mënyrë domethënëse prodhimin. Por, ky është një lajm i mirë për mbështetësit e OMGJ-ve. Deri këtu, bota është e ndarë në dysh. Evropa kundërshton përhapjen e tyre. Por ndërkohë, uria forcohet dhe industria kimike përgatit molekula të gjeneratës së dytë, në gjendje të rrisin drithërat edhe në kushte thatësire. Pra, gjithçka ndryshon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›