Berluskoni flirton sërish...Donzhuani josh deputetet e reja
Silvio Berluskoni, krejt papritur, ka shfaqur edhe një herë një anë të karakterit të tij, që shumëkush e njeh mirë, atë të "Donzhuanit", duke iu përcjellë një pusullë dy politikaneve femra të sapozgjedhura në Parlament, pikërisht në momentet kur priste një votë të rëndësishme besimi për kabinetin e tij të ri. Kështu, ndërsa donzhuani i deklaruar po përgatitej për fjalimin e parë të tij si Kryeministër në Parlament, që pasi u zgjodh Kryeministër për të tretën herë muajin e shkuar nuk mund t‘i largonte sytë nga dy deputetet e reja, Gabriela Xhammanco, 31 vjeç, dhe Nunzia De Xhirolamo, 32 vjeç. Pa e ditur që kamerat ishin fokusuar tek ai, lideri ekscentrik shkroi një pusullë plot komplimente, në të cilën lexohej: "Gabri, Ninzia, ju dukeni shumë mirë të ulura aty së bashku. Faleminderit që po dëgjoni dhe po tregoni interes për fjalimin tim, por nuk është e domosdoshme kjo. Nëse ju keni ndonjë xhentëlmen që ju ka ftuar për drekë, ju autorizoj të shkoni. Shumë puthje për të dyja ju!!! Kryeministri juaj". E menjëherë pas kësaj, dy deputetet joshëse hodhën në kartë përgjigjen e tyre dhe ia kthyen Kryeministrit. "I dashur Kryeministër", lexohej në të, "ne mund të pranojmë vetëm ftesa xhentile nga ana juaj!" Silvio Berluskoni, 71 vjeç, u pa më pas teksa i lejonte vetes një buzëqeshje plot kënaqësi dhe iu kthye punëve parlamentare. Ky lajm, sigurisht nuk i ka pëlqyer bashkëshortes së tij "të vuajtur", Veronika Lario, të cilës ai i kërkoi ndjesë publike vitin e shkuar, kur ai u pa me një "harem" grash, disa prej të cilave të ulura në prehrin e tij dhe një mori thashethemesh shpërthyen për sjelljet e tij prej donzhuani. Në një rast tjetër, Berluskoni i kishte thënë një deputeteje: "Nëse nuk do të kisha qenë i martuar, do të isha martuar me ju menjëherë". Akoma më tej: "Me ju do të shkoja kudo", i ka thënë ai një tjetër anëtareje të Parlamentit. Zonja Lario më pas, i shkroi një letër që u botua nga e përditshmja "La Repubblica", ku edhe i kërkoi ndjesë publike bashkëshortit, për dëmin që i kishte shkaktuar dinjitetit të saj.