Itali, operacion antiklandestinë, 400 arrestime dhe qindra dëbime
Policia në Itali ka arrestuar qindra emigrantë të paligjshëm në një operacion të gjerë, që është shtrirë në nëntë provinca të vendit. Urdhra dëbimi janë lëshuar për dhjetëra prej të arrestuarve. Ndërkohë, kanë përfunduar nën pranga edhe më shumë se 100 italianë. Një operacion është kryer edhe në një kamp romësh në afërsi të Romës. Shqetësimet e italianëve në lidhje me krimin e emigrantëve janë fokusuar pikërisht në këtë qytet. Më herët, këtë javë, familje rome nga Napoli janë detyruar të largohen, pasi banorë vendas i vunë zjarrin kampit të tyre me baraka. Mediat italiane, ndërkohë, fajësuan për këtë veprim Kamorrën, mafien lokale, por, gjithsesi, nënvizuan se vetë banorët lokalë kishin ndjekur skenën me një lloj kënaqësie. Aksioni i policisë ishte pjesë e një operacioni që ka zgjatur për më shumë se një javë dhe që është shtrirë në Romë, Napoli dhe Italinë e Veriut. Është një shenjë e dukshme e ndryshimit të politikës mbi emigracionin, të premtuar nga qeveria e re e krahut të djathtë, e kryesuar nga Kryeministri Silvio Berluskoni. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, që i përket Ligës së Veriut, një formacion politik ky i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigrantëve, do të zhvillojë bisedime me homologun e tij nga Rumania, që është ankuar për diskriminim kundër qytetarëve rumunë në Itali. Emigrantë nga Rumania, por edhe nga Shqipëria, Greqia, Kina e Maroku, ishin mes të arrestuarve, shkruan gazeta italiane "La Repubblica". Kështu, sipas zyrtarëve italianë, mes të huajve të arrestuar figurojnë 50 marokenë, 32 rumunë, 25 tunizianë, 18 nigerianë, 16 egjiptianë, 16 serbë, 14 shqiptarë dhe 97 persona të nacionaliteteve të tjera. Edhe policia rumune kishte asistuar në operacionet e finalizuara mëngjesin e së enjtes. Komuniteti rom në Itali konsiderohet përgjegjës për një nivel krimi të rritur ndjeshëm së fundmi në këtë vend. Këto kohët e fundit, në fakt, janë kryer prej emigrantëve rumunë, por edhe atyre të nacionaliteteve të tjera, disa vrasje dhe përdhunime në Romë e qytete të tjera të vendit, që kanë ngjallur edhe një zemërim të madh të opinionit publik. Pikërisht për të goditur akoma më fuqishëm krimet e kryera nga qytetarët rumunë në Itali, nga e hëna e ardhshme do të fillojë punën edhe një Task-Forcë e përbërë nga 15 hetues rumunë, të cilët do të bashkëpunojnë me kolegët e tyre italianë. Mbërritja e ekspertëve të policisë rumune, që do të punojnë në kontakt të ngushtë me ata italianë, do të mundësojë një njohje më të thellë të aspekteve të ndryshme të kriminalitetit që vjen nga ky vend. Sondazhet e kryera kohët e fundit në Itali, tregojnë se pikërisht emigrantët e ardhur nga Rumania janë ngjitur në vendin e parë të më pak të dëshiruarve nga opinioni publik dhe një pjesë e madhe e krimit të emigrantëve mban pikërisht vulën e tyre. Pakënaqësia e italianëve mbi numrin e madh të emigrantëve të ardhur nga Rumania, një vend i ri i anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka intensifikuar edhe thirrjet për një rishikim të politikave kufitare mes vetë shteteve anëtare të BE-së.