Bush në Izrael, në 60-vjetorin e krijimit
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, bëri një profeci paqeje për Lindjen e Mesme të enjten, sipas së cilës, armiqtë e Shteteve të Bashkuara po përballeshin me një të ardhme disfatash. "Ky është një vizion i qartë, pavarësisht se ndokush mund të thotë se nuk do të realizohet", tha Bush para Parlamentit izraelit. Ai e quajti Izraelin vend aleat të Shteteve të Bashkuara, "një atdhe të njerëzve të zgjedhur" dhe vetëm sa i ceku shpresat palestineze për një shtet të tyrin. "Disa njerëz thonë se nëse SHBA-ja do të shkëpuste lidhjet me Izraelin, të gjitha problemet në Lindjen e Mesme do të zgjidheshin", tha Bush. "Ky është një pretendim i lodhur, vazhdë e propagandës së armiqve të paqes dhe Amerika e refuzon atë". Presidenti Bush gjendet në një turne të radhës në Lindjen e Mesme, që do ta çojë atë edhe në Arabinë Saudite e Egjipt. Ai tha, ndërkohë, se Uashingtoni mbështeste pa rezerva Izraelin, në kundërshtinë e tij të vendosur të ambicieve bërthamore të Iranit. "Të lejojmë që Irani të sigurojë armët bërthamore", tha Bush, "do të ishte një tradhti e pafalshme për gjeneratat e ardhshme". Këto parashikime të së ardhmes të Presidentit Bush, u paraprinë nga një fluturim me helikopter mbi të shkuarën biblike, një vizitë në fortesën në shkretëtirë të erës romake, Masada, që nga izraelitët konsiderohet simbol i shpirtit luftarak të hebrenjve, si edhe simbol i vetësakrifikimit përballë armiqve të fuqishëm. "Ndërsa ne shënojmë sot përvjetorin e 60-të të krijimit të Izraelit, le të përpiqemi ta imagjinojmë këtë rajon pas 60 vitesh të tjera", tha Bush. "Izraeli do ta festojë 120-vjetorin si një ndër demokracitë më të mëdha në botë dhe palestinezët do të kenë atëherë një atdhe të tyrin, një shtet demokratik që qeveriset nga ligji, respektimi i të drejtave të njeriut dhe refuzimi i terrorit", tha ai. Bush theksoi gjithashtu se nga Kajro në Riad, nga Bagdadi në Bejrut, njerëzit do të jetojnë në shoqëri të lira dhe të pavarura. Irani dhe Siria do të jenë vende paqësore, ku represioni i ditëve të sotme do të jetë thjesht një kujtim i largët. Ai parashikoi gjithashtu që Al-Kaeda, Hezbollahu dhe grupi islamik palestinez, "Hamas"-i, do të munden, ndërsa myslimanët në të gjithë rajonin do të njohin kotësinë e vizionit terrorist. Ndërsa Izraeli feston 60-vjetorin, palestinezët "vajtojnë" atë që ata e quajnë katastrofë, ose "Nakba". Mbi 700 mijë palestinezë u larguan apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftimeve që shoqëruan krijimin e Izraelit në 1948-ën. Një sirenë gjëmoi në Ramallah dhe tullumbace të zeza u lëshuan në qiell.