Tërmeti në Kinë, katastrofa që nuk ka fund
Më shumë se 50 mijë njerëz mund të kenë vdekur, si pasojë e tërmetit që shkatërroi një pjesë të Kinës të hënën. Lajmi është shfaqur në mediat shtetërore kineze dhe ka pasuar konfirmimin e bërë më herët nga qeveria, sipas së cilës, numri i të vdekurve ka shkuar në 19500. Gjithsesi, përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, ndërsa me mijëra njerëz janë të mbërthyer nën rrënoja. Rreth 10 milionë njerëz në provincën Sichuan janë prekur nga tërmeti prej 7.9 ballësh. Qeveria, ndërkohë, ka urdhëruar edhe nisjen e rreth 30 mijë trupave ushtarake shtesë në Sichuan, për të ndihmuar 50 mijë kolegët që janë angazhuar deri më tani në përpjekjet e shpëtimit. Pekini thotë se do të pranojë ndihmat e huaja dhe ka rënë dakord ndërkohë edhe me angazhimin e ekipeve të shpëtimit nga Japonia dhe rivali i saj, Tajvani. Sipas korrespondentëve, shifra e të vdekurve, që nga 14866 që ishte të mërkurën, u rrit në 19500, pritet të rritet akoma, pasi punonjësit e shpëtimit po nxjerrin gjithnjë e më shumë trupa të pajetë nga ndërtesat e rrënuara. Por, në anën tjetër, po gjenden njerëz ende të gjallë. Një vajzë 11-vjeçare u nxor dje nga rrënojat e një shkolle në Yingxiu, pas 68 orësh e ngujuar nën blloqe betoni e tulla. Dëshmitarët dhe skuadrat e shpëtimit e konsideruan këtë një mrekulli. Ndërkohë, korrespondentët në zonë tregojnë se ekipet e shpëtimit dhe të afërmit e atyre që mendohet se janë të bllokuar nën rrënoja, refuzojnë të pranojnë se tashmë është vonë dhe shpresat janë minimale. Në shkollën Juyuan, në afërsi të Dujiangyanit, rreth 50 kilometra larg epiqendrës së tërmetit, prindërit vazhdojnë të përpiqen të arrijnë deri tek 900 fëmijët e bllokuar nën godinën e shembur. "Nuk është se ne nuk u besojmë skuadrave të shpëtimit", thotë një banor, "në fakt ato kanë bërë shumë dhe kanë kërkuar pa u lodhur për të mbijetuar, por ata nuk mund të arrijnë kudo, ndaj edhe ne jemi angazhuar personalisht". Qeveria kineze ka apeluar për pajisje bazë, që do të ndihmonin në përpjekjet për shpëtim. Sipas saj, nevojiten matrapikë, vinça dhe ekskavatorë me urgjencë. Ministria e Shëndetësisë, në anën tjetër, vazhdon të përsërisë se ka nevojë emergjente për ilaçe dhe pajisje të sofistikuara mjekësore për të plagosurit, që në rastet më të shumta kanë fraktura, organe të brendshme të dëmtuara dhe mushkëri të bllokuara nga pluhuri. Më shumë se 10 mijë punonjës të mjekësisë, policë dhe vullnetarë, janë dërguar edhe në lokalitetin Beichuan, një prej zonave më të goditura të provincës Sichuan, ku mbi 5 mijë persona mendohet se kanë vdekur. Por, ka ndërkohë edhe zëra, sipas të cilëve disa prej atyre që përpiqen të ndihmojnë, në të vërtetë po pengojnë operacionet e shpëtimit, duke bllokuar rrugë në zonat më të goditura. "Vullnetarë të pakursyer, por të paeksperiencë, kanë sjellë ushqime dhe materiale të tjera, ndërsa automjetet e tyre po bllokojnë rrugët", tha një zyrtar lokal. Ndërkohë, 17 persona janë ndaluar për përhapje thashethemesh keqdashëse në lidhje me tërmetin dhe dy prej tyre janë arrestuar. Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, më shumë se 64 mijë njerëz janë trajtuar në spitale, që pas tërmetit të së hënës. Mbi 12 mijë prej tyre, në gjendje të rëndë. Sipas zyrtarëve, rreth 10 milionë njerëz janë prekur nga kjo çmenduri sizmike dhe shumë prej tyre gjenden aktualisht në kampe refugjatësh, pa kushte të përshtatshme.