Berluskoni ka një peng: Ibrahimoviç nuk erdhi te Milani prej "Calciopolit"
Përkëdhel kampionët e tij, i lejon vetes t‘i japë disa këshilla Karlo Ançelotit dhe zbulon pengun gjatë presidencës te Milani. Intervista e Silvio Berluskonit për "Corriere dello Sport" fillon me komente rreth Zlatan Ibrahimoviç, që në ndeshjen kundër Bolonjës realizoi një gol të jashtëzakonshëm. "Nuk e pashë golin, por ma përshkruan. Ishte rrjeta e një kampioni të madh, për të cilin në të kaluarën ishim të interesuar edhe ne të Milanit", shpjegoi njëshi i klubi kuqezi. "Në fakt, e kishim gjetur marrëveshjen (bëhet fjalë për verën e vitit 2006), megjithatë ndodhi ai ndëshkimi me -8 pikë (për shkak të skandalit ‘Calciopoli‘). Në atë periudhë nuk ishim të sigurt nëse do të luanim në Ligën e Kampioneve dhe transferimi nuk u realizua. Është më se normale që ndjeva keqardhje, sepse tek ai lojtar kisha dalluar klasin e lartë me të cilin është paraqitur në këto dy sezonet e fundit". Tashmë Berluskoni mund të "ngushëllohet" me shumë kampionë të tjerë. "Për momentin jemi skuadra me koeficientin më të lartë kualitativ në kontingjent. Jam i kënaqur nga Milani im. Ronaldinjo? Ishte vendimtar në derbi dhe po luan shumë mirë. Gjithsesi, nuk mendoj se roli i tij ideal është në krahun e majtë dhe këtë vazhdoj t‘ia përsëris trajnerit. Dinjo do të ishte më efektiv nëse do të luante më pranë zonës: do të fitonte shumë penallti dhe është nga ata lojtarë që kur gjenden përpara portës kundërshtare gabojnë shumë rrallë". Nga ish-fantazisti i Barcelonës biseda zhvendoset te Shevçenko: "Kam biseduar shpesh me Andrij, pasi jemi të afërt. Pas dy viteve ku ishte aktivizuar shumë pak, kishte nevojë që të rigjente veten. Jam i sigurt se do të shohim Shevën e viteve të arta. Për momentin është vetëm në 70 për qind të formës e mund të përmirësohet edhe më shumë, por goli kundër Zyrihut shërbeu për ta zhbllokuar". Në mbyllje nuk mund të mungonte edhe një koment për garën për titull, që në fund të sezonit mund të vendoset pas një sfide ndërmjet Interit dhe Milanit. "Besoj dhe shpresoj se ky do të jetë dueli për titullin kampion. Jam i bindur që Milani është i denjë për ta fituar këtë trofe. E kemi treguar në ndeshjet e fundit që kemi luajtur. Ançeloti nuk do ta ketë të thjeshtë? Më mirë të kesh talente me shumicë, sesa e kundërta".