E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi, gati 13 milionë euro për Lavecin

Çelsi është vënë në gjurmët e Ezekuiel Lavecit. Ylli i Napolit është evidentuar nga Frenk Arnesen, vëzhguesi i klubit londinez, që po shëtit nëpër Evropë në kërkim të një sulmuesi. Objektivi është të gjendet zëvendësuesi ideal për Nikolas Anelka, rendimenti i të cilit i ka krijuar shumë probleme teknikut Luis Felipe Skolari. Sipas britanikeve "Daily Mirror" dhe "Daily Sport", skuadra e Roman Abramoviç ka përgatitur ofertën me vlerë 13 milionë euro (10 milionë sterlina) për 23-vjeçarin nga Argjentina. Kjo shifër është pothuajse sa dyfishi i asaj që Napoli i pagoi San Lorencos në verën e vitit 2007, ndërkohë që lojtari është nën kontratë në "San Paolo" deri në vitin 2013. Laveci është një nga yjet e rinj të kampionatit italian dhe tetë golat e realizuar në sezonin e tij të parë në Serinë A e konfirmojnë këtë fakt. Për më tepër, ai ka fituar medaljen e artë në Olimpiadën Pekin 2008, ndërkohë që për stilin e lojës krahasohet me Karlos Tevez. Kjo është arsyeja se përse Arnesen paraqiti një raport mjaft pozitiv rreth sulmuesit dhe Skolari u bind për të tentuar blerjen e argjentinasit që prej merkatos së janarit. Kjo nuk është hera e parë që blutë interesohen për një lojtar të napolitanëve. Gjatë verës së kaluar, u përfol se Çelsi ishte i gatshëm të hapte thesin për të blerë Hamsik. Gjithsesi nga Italia këto zëra u hodhën poshtë dhe sllovaku vazhdoi të luante me Napolin, ku është një prej lojtarëve kryesorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›