E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, PE: Situata është serioze

Debat mes eurodeputetëve. Qeveri-opozitë duhet të bëjnë çdo përpjekje për dialog

Kriza politike në Shqipëri u debatua për më se një orë në Komitetin e Jashtëm në Parlamentin Europian, gjatë prezantimit të projekt-rezolutës se përpiluar nga raportuesi Nikolaos Chuntis, i cili u kritikua si nga e djathta dhe nga e majta europiane. Nicolaos Chuntis, raportues për Shqipërinë në PE u shpreh se “mendoj se ky problem ilustron fenomene të trashëguara në sistem e duhet të ketë demokratizim”. Sakaq, kryetari i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, vlerësoi se zgjidhja për situatën duhet të gjendet në kuadër të institucioneve demokratike dhe të gjitha partitë duhet të pranojnë rezultatin. “T’i themi kësaj opozite, siç i thamë opozitës së mëparshme që protestat në rrugë nuk është mënyra e duhur e sjelljes së vendeve demokratike”, u shpreh Doris Pack, eurodeputete PPE. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicolaos Chuntis, replikoi duke konstatuar se “unë nuk mendoj se ne jemi këtu për t’i vënë gishtin e për t’u treguar njerëzve si ta bëjnë. Kjo nuk do të pranohej në qarqet e politikanëve të përfshirë në këtë problem. Nëse japim një qëndrim “pro” njërit apo tjetrit, kjo do të shfrytëzohej si avantazh. Në vlerësimin e zv.presidentit të Parlamentit Europian, Libor Roucek, “në një demokraci parlamentare, Kuvendi është zemra e sistemit, ndaj ju pëlqen apo jo rezultati, të gjithë duhet ta pranojnë atë”. Eurodeputetja e GBME, Takis Hadjigeorgiou, nënvizoi se “ata që e njohin sadopak këtë vend, si jugun dhe veriun, mund të kuptojnë se ndonjëherë qëndrime nga demokracitë perëndimore drejtojnë njerëzit në mënyrë të gabuar. Ndonjëherë këto deklarata përdoren, apo abuzohet me to, për qëllime përfitimi”. Duke iu referuar përmbajtjes së raportit të Chuntis, Doris Pack u shpreh se raporti duhet të nisë ndryshe, “në fillim thua të mirat e pastaj duhet të thuash përmirëso këtë apo atë”. “Nuk kemi pse të tregohemi shumë përkëdhelës me fjalë, por le t’u tregojmë atë që është: situata politike me opozitën që nuk do ende të marrë pjesë në Kuvend është serioze”, u shpreh Judith Sargentini, eurodeputete e grupit të të gjelbërve. Libor Roucek ndërhyri duke thënë se në Shqipëri ka krizë politike, por nuk mund të themi krizë institucionale, sepse Parlamenti po funksionon, pavarësisht bojkotit të opozitës. “I dëgjuam se çfarë thanë dy forcat kryesore këtu, dhe unë mendoj se dy partitë e mëdha atje janë përgjegjëse për qorrsokakun politik e për sistemin politik, sepse këto dy parti kanë alternuar pushtetin, por siç e thashë, kam takuar shoqëri civile dhe parti të tjera politike, dhe duket se ka probleme me sistemin zgjedhor e ky konkluzion nuk vjen vetëm nga çfarë thonë dy partitë kryesore atje”, nënvizoi Nikolaos Chuntis, raportues për Shqipërinë në PE. Pavarësisht kritikave nga dy grupimet e mëdha të Parlamentit, raporti i eurodeputetit grek u vlerësua si shumë i mirë e realist nga Komisioni Europian.

Pierre Mirel, drejtor për zgjerimin me Ballkanin në KE sqaroi se “një nga kriteret themelore politike të Kopenhagës është siç e dini funksionimi efikas i institucioneve demokratike, dhe nuk është ky rasti për Shqipërinë ku prej 9 muajsh Parlamenti nuk funksionon. është më se e qartë që ne do ta marrim parasysh këtë fakt gjatë shqyrtimit të kandidaturës së Shqipërisë”. Mirel këmbënguli se mesazhi i komisionit ka qenë i qartë, “së pari debati politik duhet të bëhet në Parlament e jo në rrugë, e jam dakord me zonjën Pack këtu, por së dyti, prej më se 9 muajsh që nuk funksionon Parlamenti, qeveria dhe opozita duhet të bëjnë çdo përpjekje për të gjetur dialogun konstruktiv politik”. KE bën thirrje të gjendet rruga mes dy principeve, respektimi i Kushtetutës, por dhe nevojës për transparencë. “E së fundi, pas zgjedhjeve të fundit, OSBE/ODIHR shpërndau raportin ku thuhet se ka ende parregullsi, dhe është e rëndësishme që ato të adresohen përpara zgjedhjeve lokale”, theksoi Mirel. Raporti i eurodeputetit grek, Chuntis, pritet të pësojë ndryshime deri në datën 5 maj. Përballë kundërshtimeve të dy forcave të mëdha politike, komunisti grek do ta ketë të vështirë të sigurojë votat e nevojshme për versionin e tij në rezolutën përfundimtare për Shqipërinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›