Berluskoni merr tre nga Guantanamo
Tre tunizianë nga burgu i Guantanamos do të jetojnë së shpejti në Itali, pas marrëveshjes së kryeministrit Silvio Berluskoni me Presidentin amerikan Barak Obama. Dy prej tyre janë të hetuar nga prokuroria e Milanos, që i akuzon se kanë furnizuar mbështetje logjistike për një celulë të lidhur me grupin “Salafita”. Sipas informacioneve të para, emrat e tre banorëve të rinj të Italisë janë Riadh Nasri, Moez Fezzani dhe Abdul bin Mohammed bin Ourgy. Disponueshmëria e Italisë për të pranuar të burgosur nga Guantanamo është shprehur nga vetë kryeministri Silvio Berluskoni në Shtëpinë e Bardhë. Sipas ministrit të Jashtëm italian, Franco Frattini, tre ish të dënuarit e Guantanamos do të konsiderohen “njerëz të lirë në rast se nuk do të ketë procedura penale ndaj tyre dhe kështu do të mund të qarkullojnë lirshëm edhe në vende të tjera evropiane, me përjashtim të atyre që nuk do ta pranojnë këtë”. Kjo normë u aprovua të hënën nga ministrat e Jashtëm të BE-së.