E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, Këshilli i Klerikëve vendos rinumërimin e votave

 

Këshilli i Lartë i Klerikëve në Iran ka shprehur predispozitën për rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale të së premtes. Vendimi u mor pas shumë ankesave për numërim të parregullt dhe protestave prej tri ditësh të mbështetësve të rivalit të Ahmadinexhadit, Hosein Mousavi, që përfunduan me shtatë të vdekur dhe qindra të arrestuar. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i ka kërkuar Këshillit të plotfuqishëm të klerikëve që të hetojë akuzat për manipulimin e votave. Por kandidati presidencial i opozitës, që humbi zgjedhjet, Mir Hosein Mousavi, bëri një thirrje edhe më të fortë, ai i kërkoi Këshillit të anulojë rezultatet. Ahmadinexhad tha se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta. Përkrahës të tij dolën dje nëpër rrugët e Teheranit në mbështetje të tij. Demonstratat e përkrahësve të Mousavit, ishin shumë të forta edhe pse u ndaluan nga qeveria një ditë më parë. Mousavi, ish-kryeministër iu bëri thirrje përkrahësve të tij të mos marrin pjesë në protesta, pasi do të rrezikojnë jetën e tyre. Zyrtarët iranianë kanë vënë kufizime për mediat e huaja që kanë në plan të mbulojnë mitingjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›