Berluskoni telefonon Berishën, e uron për fitoren
TIRANË- Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni i ka bërë një telefonatë urimi kryeministrit Sali Berisha për fitoren e mandatit të dytë. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku Berluskoni citohet ta ketë konsideruar këtë fitore si një meritë të veçantë të Berishës dhe rëndësi e madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të tij në Bashkimin Europian.
"Kryeministri italian Berluskoni e përgëzoi Kryeministrin Berisha për koalicionin që ka bërë me zotin Ilir Meta dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u shprehur se "ky është veprimi i duhur që unë personalisht e përshëndes". Gjithashtu, Kryeministri italian Berluskoni theksoi se ky përbën një koalicion premtues për Shqipërinë"- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej Berluskoni e siguroi kryeministrin Berisha se ai dhe qeveria italiane do të japin një mbështetje të fuqishme dhe të gjithanshme qeverisë së re, në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit të vendit në BE.