E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PD-LSI, qeverisje e qëndrueshme. Xhufi: Lëvizje e nxituar

TIRANË- Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ka miratuar sot në mbrëmje vendimin e kryesisë së kësaj partie për të bashkëqeverisur me PD-në.

Në fjalën e tij, Meta ka theksuar se marrëveshja u bë për të mirën e vendit, për stabilitetin dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Ndërkohë që nënkryetari Pëllumb Xhufi ka reaguar duke e quajtur marrëveshjen të përshpejtuar. Sipas tij, partia e drejtuar nga Meta mund ta shmangte krizën duke votuar disa ligje të rëndësishme, por pa qenë nevoja për të marrë pjesë në qeveri. "LSI duhet t'i shërbejë ligjeve për integrim"- ka thënë ai.


Meta, u shpreh se Edi Rama ka bërë një operacion mafioz për të blerë anëtarët e LSI-së. "Jam këtu të ndajë së bashku me ju me argumente dhe përgjegjësi të lartë politike vendim e marrë për të ecur përpara" theksoi Meta, duke shtuar se janë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe jo për Izolim.
Ai ka sqaruar para të pranishmëve se nuk ka asgjë të pamoralshme në marrëveshjen me PD-në dhe shkon në funksion të integrimit të vendit.
"Pse qenka i moralshëm bashkëpunimi me PD-në kurriz të Kushtetutës dhe pse nuk qenka e moralshme kur ne bëjmë marrëveshje për të stabilizuar vendin dhe për ta integruar atë BE"- tha ai.
Ai e ka quajtur të vetmen zgjidhje bashkëpunimin me PD-në, pasi ka deklaruar se nuk i lidh më asgjë me Partinë Socialiste. Sipas Metës, një pakt me PS-në do ta çonte vendin në zgjedhje pas dy muajsh. Ndërkohë që marrëveshja me PD-në, sipas tij garanton një qeverisje të qëndrueshme.

"E gjithë fushata e ditëve të fundit u përqendrua në një agresion korruptiv përmes manipulimit të databeizit të LSI-së në qendër. Pavarësisht nga të gjitha këto, rezultati elektoral e bën të pamundur një qeverisje PS-LSI. Çfarë duhet të bëjmë? Të bashkohemi me agresorët e votës tonë? A e zgjidh kjo situatën aktuale në Shqipëri? Të shkojmë brenda dy muajve në zgjedhje, me këtë kod, pa komisionerë, pa numërues dhe të krijojmë tension?", tha Meta.
Ai ka shtuar më tej se LSI do të ecë përpara, pasi nuk është krijuar as për të qenë bishti i PS-së dhe as i liderit aktual të saj, por për të përfaqësuar aspiratat e socialistëve progresistë që duan një Shqipëri në Europë.

Pavarësisht kundërshtimeve të disa anëtarëve të kryesisë, në Konvente pritet të miratohet koalicioni me Partinë Demokratike dhe të mandatohet kryetari Meta per nisjen zyrtare të negociatave me kreun e PD-së, Sali Berisha.
Mbledhja e konventës u njoftua një ditë pasi Meta pranoi ftesën e Berishës pë t'u bërë pjesë e koalicionit qeverisës.
"Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të situatës që ka lidhje me vendimin politik të LSI-së për të pranuar hyrjen në bashkëqeverisje me PD-në, kryetari i LSI-së Ilir Meta thërret Konventën Kombëtare të Jashtëzakoshme për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e kryesisë së kësaj partie për bashkëqeverisje me PD-në, si dhe për të marrë mandatin për të negociuar në emër të LSI-së për krijimin e qeverisë së re".- u njoftua disa ditë më parë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›