Berluskoni u shpëton sërish gjyqeve
Silvio Berluskoni ka mundësi që t’u shmanget sërish prokurorëve dhe gjyqeve të tij të shumtë, pas miratimit nga Parlamenti italian i një ligji të ri, që e lejon Kryeministrin të deklarojë se është shumë i zënë me punë për të shkuar në gjykatë.
Ky ligj do të lejojë Berluskonin të shmangë të gjitha seancat e gjykimit, duke nxjerrë argumentin tashmë të legjitimuar nga Parlamenti se “është shumë i zënë me një detyrim zyrtar”. Në të shkuarën ai ka argumentuar se një rast i tillë detyrimi zyrtar është edhe prerja e shiritit të inaugurimit të një vepre të re. Kur në Senat ka qenë momenti i votës së këtij ligji, situata ka qenë kaotike dhe e zhurmshme. Një ligj i tillë i miratuar me shumë nxitim nga Parlamenti do të pezullojë të gjitha ligjet që po zhvillohen aktualisht ndaj Berluskonit, që të pezullohen për një periudhë prej 18 muajsh. Ndërkaq, deputetët e opozitës kanë bërtitur në mes të sallës: “Turp”, “turp”, ndërsa të tjerë kanë ngritur lart kopjet e Kushtetutës italiane, duke akuzuar Berluskonin për shkelje të të gjitha parimeve të Kushtetutës dhe mbi të gjitha të atij që i cilëson të barabartë para ligjit të gjithë qytetarët. Ligji do të aplikohet edhe për ministrat dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Ligji u aprovua nga Dhoma e Ulët e Parlamentit një muaj më parë dhe ka shumë të ngjarë që të aprovohet tani edhe nga Presidenti i Republikës, Napolitano, pavarësisht se lideri i një partie opozitare, Di Pietro, i bëri thirrje Presidentit të Republikës që “të hapte sytë” për të ndaluar këtë shkatërrues të ligjit. Avokatët e Berluskonit kanë ndërmend që ta përdorin menjëherë ligjin e ri për të pezulluar të gjitha seancat e afërmeve të gjyqeve të Berluskonit, mes të cilave edhe ato për korrupsion. Berluskoni dhe avokatët e tij ka muaj të tërë që po punojnë për të gjetur shkakun ligjor që t’i jepte mundësi Kryeministrit 73-vjeçar që të shmangte shumë probleme me drejtësinë. Ai i ka akuzuar vazhdimisht gjykatësit për bashkëpunim me komunistët.
#