E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia, jashtë Ministrisë së Kulturës

Ndërsa ka folur për reformën e re mbi trashëgiminë kulturore, Neritan Ceka, këshilltar i Kryeministrit për këtë fushë tha se i gjithë sistemi që kemi sot është një shpikje tipike shqiptare që nuk ekziston askund dhe ka sjellë pasoja të pariparueshme. “Kemi humbur një përqindje jo të paktë të monumenteve në këto vite si ikona, objekte arkeologjike, metale që janë shkatërruar për arsye se ka qenë një punë e paorganizuar”, shprehet ai Reforma e re

Arkeologu Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i Kryeministrit për çështjet e trashëgimisë kulturore flet për reformën e re të ndërmarrë sa i përket fushës së trashëgimisë. Sipas tij, ajo është e ndarë në dy objektiva: së pari që trashëgimia të jetë pjesë e zhvillimeve rajonale dhe së dyti, të jetë pjesë e turizmit kulturor. Si rrjedhojë, pritet të ndryshojë menaxhimi i kësaj trashëgimie, e cila deri më tani i takon Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Nëse reforma do të zbatohet, ky institucion do të ketë vetëm funksionin e politikbërëses, ndërsa menaxhimi pritet t’i kalojë Institutit të Monumenteve, i cili do të fuqizohet e do të emërtohet Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

Zoti Ceka, çfarë parashikon reforma e re për sistemin shqiptar të trashëgimisë kulturore?

Reforma bazohet në dy objektiva, të dhëna nga programi i qeverisë që në vitin 2005: së pari që trashëgimia të jetë pjesë e zhvillimeve rajonale dhe së dyti, të jetë pjesë e turizmit kulturor. Këta dy objektiva lidhen me zhvillimin bashkëkohor dhe si rrjedhim është vendosur të ndryshojë filozofia e deritanishme mbi bazën e së cilës bëhet menaxhimi i kësaj trashëgimie. Pra menaxhimi do të dalë jashtë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila në bazë të filozofisë së një qeverisje demokratike, nuk mund të jetë menaxhuese, por bërëse politikash. Ky funksion do t’i kalojë institucionit ekzistues, Institutit të Monumenteve, i cili do të fuqizohet dhe do të emërtohet Instituti i Trashëgimisë Kulturore. Nga ky institut do të varen të gjitha organizmat që sot merren me menaxhimin e pasurisë kulturore e që deri më tani kanë qenë nën varësinë e ministrisë: Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, parqet dhe muzetë arkeologjikë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Qendra e Regjistrimit të Pasurive Kulturore.

Nën këtë varësi nuk do të përfshihet Instituti i Arkeologjisë?

Instituti i Arkeologjisë nuk është pjesë e shërbimeve në fushën e trashëgimisë kulturore, por e studimeve shkencore. I tillë ai do të mbetet në kuadrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Synimi i kësaj reforme është të ndajë qartë shërbimet në fushën e trashëgimisë kulturore nga veprimtaritë e tjera, sidomos nga veprimtaria shkencore. Kjo do na japë mundësi që të punohet në një linjë të vetme me trashëgimisë kulturore dhe të respektohet hierarkia e vlerave. Në krye të Institutit të Trashëgimisë Kulturore do të jetë një akademik dhe në të gjitha shkallëzimet do të vijnë profesorë, ata që kanë mbaruar master, që kanë diplomë. Do të ketë një përshkrim të qartë të punës për të zhbërë këtë sistem ku çdokush është kushdo. Aktualisht ndodh që drejtoritë rajonale të drejtohen nga njerëz që nuk kanë asnjë lloj përgatitje për të trajtuar trashëgiminë kulturore. Do të forcohen sektorët që sot nuk ekzistojnë ose ekzistojnë në mënyrë sporadike. Do të ketë një departament që do të merret me restaurimet në tri drejtime: restaurime në objekte të vogla, në natyrë dhe restaurimet në fushën e veprave të artit. Do të ketë më tepër specialistë dhe do të fillojë dhe një shkollë e përhershme restaurimi pranë Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Si do të funksionojë ky Institut i Trashëgimisë Kulturore për sa i përket menaxhimit të buxhetit vjetor që vihet në dispozicion të trashëgimisë?

Buxheti do kalojë nga Ministria e Kulturës dhe do jetë Instituti që do ta shpërndajë në Drejtoritë Rajonale në bazë të projekteve të caktuara që do të bëhen nga ky institut ose nga sektorët e Drejtorive Rajonale, të cilat në gjendjen e sotme janë një grup amorf njerëzish që bëjnë vetëm porositë që marrin nga ministria. Sistemi do jetë i centralizuar për sa i përket drejtimit shkencor dhe profesional dhe i decentralizuar për sa i përket kujdesit dhe monumentit. Kjo do të bëjë që pranë çdo monumenti do të ketë një ndërhyrje të vazhdueshme, një sy mbikëqyrës në 7 rajonet e trashëgimisë në Shqipëri. Kudo do të ketë një shërbim, nuk është nevoja të shkojnë specialistë nga Tirana nëse do ketë një zbulim të rastit, një ndërhyrje apo një mbikëqyrje e ndërtimeve në zona specifike. Ky sistem do të bazohet në bashkëpunimin me pushtetin vendor. Në fondin e zhvillimit të rajoneve do të krijohet një fond i veçantë konkurrues ku bashkitë dhe komunat që kanë pasuri kulturore, në bashkëpunim me Institutin aktual të Monumenteve(më vonë Instituti i Trashëgimisë Kulturore) dhe Drejtoritë Rajonale do të konkurrojnë për të marrë projektet për pasuritë që kanë në territorin e tyre( kalatë, mozaikët, parqet arkeologjike) në mënyrë që t’i integrojnë në zhvillimin e tyre.

Parqet Arkeologjike thithin edhe pjesën më të madhe të turistëve. Parashikon kjo reformë ndërhyrje që do të përmirësonte numrin e vizitorëve?

Parqet arkeologjike do të vazhdojnë të funksionojnë në bazë të biletave, ku një pjesë e të ardhurave shkon për investime të drejtpërdrejta që mbikëqyren nga Instituti i Trashëgimisë. Secili Park Arkeologjik do të ketë objektivat e veta, masterplanin për zhvillim dhe për të shtuar pikat e transaksionit, sepse ne kemi mbetur në Apoloni me ato sipërfaqe që kemi pasur 20 vjet përpara, në Butrint jemi pothuajse me atë sipërfaqe, për të mos folur për parqe në të cilat paguhen dhjetëra njerëz e që nuk kanë asgjë për t’u treguar turistëve.

Mënyra e re e funksionimit të institucioneve të trashëgimisë do të sjellë për rrjedhojë edhe një reformë administrative. Cilat raporte do ndryshojnë?

Do shtohet më tepër puna dhe do të përmbyset raporti aktual mes atyre që marrin rroga në tavolina dhe atyre që punojnë direkt në objekte. Sot ky raport është 5 me dy në favor të të parëve. Do të ruhet pjesa më madhe e kuadrit ekzistues, ata që janë specialist prej shumë vitesh e po ashtu do të qëndrojë edhe kuadri i ri që është përgatitur tashmë, por do t’u nënshtrohen kritereve të një institucioni shkencor.

Ministria e Kulturës sapo ka miratuar një strukturë të re. është bërë kjo në funksion të kësaj reforme madhore?

Nuk ka të bëjë fare. Kjo strukturë lidhet me thjeshtimin e strukturave të vendeve të punës që përcakton Kryeministria dhe s’ka të bëjë me funksionalitetin.

Në çfarë modeli jeni bazuar për hartimin e kësaj reforme?

Në një model që funksionon në mënyrë të përsosur në vendet finje, Itali e Greqi. Ne kemi marrë modelin e një province të Italisë, sepse aq është Shqipëria për sa i përket pasurisë së trashëgimisë dhe territorit. Do të kemi një institucion mbikëqyrës që në rastin tonë është Instituti i Trashëgimisë së Kulturës dhe 7 distrikte në varësi të tij. E gjithë puna që do të bëhet në drejtoritë rajonale do të reflektohen në këtë institut.

Në cilën fazë është puna për hartimin e kësaj reforme?

Kanë mbaruar të gjitha aktet dhe i janë dorëzuar Ministrisë së Kulturës, e cila do të bëjë një takim me të gjithë specialistët kryesorë të fushës. Pasi të mblidhen mendimet përfundimtare që do shtohen mbi materialin që përmban strukturën e re, statusin e ri të institutit dhe ndryshimet ligjore që do të bëhen në sistem, pasi të reflektohen në këtë material, do të ndjekin linjën e zakonshme: çka për t’i shkuar Parlamentit do t’i shkojë Parlamentit dhe pjesa tjetër do t’i shkojë Këshillit të Ministrave.

Ku ka çaluar deri më tani sistemi i trashëgimisë kulturore?

Problematika ka qëndruar në dëshirën e Ministrisë së Kulturës për të menaxhuar ato 3 milionë euro që hidhen çdo vit në këtë drejtim. Pjesa më e madhe është bërë me tenderim, shpesh pa u marrë parasysh përvoja, ku herë ndërhyrjet i ka bërë një firme herë një tjetër. Ne synojmë që pjesa më e madhe e këtyre projekteve të bëhen të drejtuara qoftë nga specialistë të institutit, qoftë të drejtorive rajonale. Natyrisht, ndërhyrjet rutinë si në Berat apo Gjirokastër do të bëhen me tendera, ne do të mundohemi që firmat që specializohen në restaurim monumentesh të gjejnë hapësirat e tyre, por nuk kemi nevojë të bëjmë shpikje. I gjithë sistemi që kemi sot është një shpikje tipike shqiptare që nuk ekziston askund dhe ka sjellë pasoja të pariparueshme. Kemi humbur një përqindje jo të paktë të monumenteve në këto vite si ikona, objekte arkeologjike, metale që janë shkatërruar për arsye se ka qenë një punë e paorganizuar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›