Berni Ekleston: Nga viti i ardhshëm vlen vetëm podiumi
Bernie Ekleston është gjithmonë i angazhuar në gjetjen e ideve të reja, të cilat do ta bëjnë Formula 1 një sport sa më interesant. Kjo, edhe sepse perandoria e tij ekonomike varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përfitimet që garanton sporti më i dashur i katër rrotave. Tashmë, menaxheri anglez këmbëngul për një ide revolucionare: vetëm pilotët që do të ngjiten në podium do të vlerësohen. Me fjalë të tjera, vetëm ata që klasifikohen në tri vendet e para do të marrin pikë, ndërsa për të renditurit nga vendi i katërt e poshtë, nuk parashikohet asgjë. Sipas kësaj ideje, titulli botëror do të fitohet nga piloti që ka arritur më shumë fitore dhe jo nga ai që ka grumbulluar më tepër pikë (si ndodh momentalisht). Ekleston propozon një sistem "olimpik": në vend të pikëve, respektivisht 10, 8 dhe 6, tre pilotët që ngjiten në podium do të fitojnë medalje ari, argjendi dhe bronzi. Pozicionimet nga vendi i katërt e deri në vendin e fundit do të shërbejnë vetëm për të përcaktuar klasifikimin e përgjithshëm të konstruktorëve. Synimi i bosit të Formula 1 është që rregulli i ri të hyjë në fuqi që prej sezonit të ardhshëm. Sipas këndvështrimit të tij, ky ndryshim do t‘i bënte garat më emocionuese, duke qenë se askush prej konkurrentëve nuk do të mund të bëjë llogari për klasifikimin. "Të gjithë janë entuziastë rreth kësaj ideje, pohoi 78-vjeçari. Jam 100 për qind i sigurt se kjo është rruga që duhet të ndjekim". Propozimi do të prezantohet në Këshillin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) në mbledhjen e parashikuar që të zhvillohet më 12 dhjetor në Montekarlo. Edhe Shoqata e Skuadrave (FOTA) do të jetë prezente në këtë takim, për të shprehur mendimin e saj. Nëse rregulli i ri i propozuar nga Ekleston do të ishte në fuqi që prej këtij viti, titulli kampion do të ishte fituar nga Felipe Masa dhe jo nga Luis Hemilton. Në fakt, britaniku i MekLarenit triumfoi vetëm për një pikë më shumë, falë fundit spektakolar të garës në Çmimin e Madh të Brazilit. Piloti i Ferrarit fitoi pesë gara, kundër katër garave të marra nga Hemilton, por kjo nuk i mjaftoi të shpallej kampion.