E Diel, 1 Nëntor 2026

Robinjo: Lojtarët më të mirë do të vijnë te Siti

Ylli i Mançester Sitit, Robinjo, beson se klubi anglez ka aq shumë fuqi financiare, sa mund të tërheqë vëmendjen e lojtarëve më të mirë në botë. Braziliani ka treguar formë të jashtëzakonshme që prej transferimit në Premiership, për plot 42 milionë euro nga Reali i Madridit. Kartoni i Robinjos u pagua me një këst të vetëm dhe ky është tregues i mbështetjes së jashtëzakonshme që skuadra gëzon nga sheikët e grupit Abu Dhabi. Në disa raste, mesfushori me tipare ofensive i ka këshilluar shokët e tij të përfaqësueses që të luajnë në "Istlands", madje së fundmi i ka bërë thirrje Kakasë që të largohet nga Milani për t‘u bërë pjesë e projektit të Mançester Sitit. 24-vjeçari kërkon që skuadra e drejtuar nga Mark Hjuxhs të shndërrohet në më të fortën në botë dhe beson se në të ardhmen, në kampionatin anglez do të afrohen edhe shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj. "Kam shumë ambicie për veten dhe për skuadrën. Personalisht synoj të jem lojtari më i mirë në botë, ndërsa për Sitin, të jetë skuadra më e mirë", deklaroi Robinjo. "Unë dhe lojtarët e tjerë i admirojmë ambiciet e pronarëve të rinj të klubit. Të gjithë duam të japim kontributin tonë, që Mançester Siti të jetë një prej skuadrave më të mira në botë. Më pëlqen mënyra se si luhet futboll në Angli. Mendoj se në të ardhmen do të vijnë edhe shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj: Premiershipi është një kampionat fizik, por ku ka hapësira dhe shënohen gola të mëdhenj".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›