E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimoviç, njeriu që s‘njeh kufij

Është më i madhi nga të gjithë në vendin e tij. Të hënën në mbrëmje, ashtu sikurse ishte parashikuar, Zlatan Ibrahimoviç ka fituar "Guldbollen", "Topin e Artë" suedez, për të tretën herë. Henrik Larson, Fredrik Ljungberg e Patrik Anderson e kishin fituar dy herë, por kurrë nuk bënë tripletë.

NE HISTORI - Fituesi i "Guldbollen" u zgjodh nga "Aftonbladet", gazeta kryesore suedeze dhe nga Federata e Futbollit Suedez: vota e jurisë ka qenë unanime në favor të Ibrahimoviç, i cili e kishte fituar këtë çmim edhe në 2005-ën e 2007-ën. "Tashmë, ka deklaruar Ibrahimoviç, ndiej se e kam shkruar emrin në histori. Para meje e kanë bërë lojtarë më fantastikë, legjenda të historisë së futbollit suedez dhe pas tyre vij unë nga Rosengard (lagjja "geto" e Malmoes, ku Ibra është rritur duke luajtur futboll në rrugë) dhe e fitoj tri herë...".

ME PRINCIN - Sulmuesi zikaltër, në krah të së shoqes Helena, ka marrë pjesë dje në "Gran Galà" të futbollit suedez në Stokholm, e transmetuar në TV dhe i parë nga miliona spektatorë. Prezent ishte edhe legjendari Pele, i ardhur për të celebruar 50-vjetorin e kaluar nga Botërori i ‘58, që u mbajt në Suedi. Po ashtu ishin edhe disa anëtarë të familjes mbretërore suedeze. Zlatan ka buzëqeshur ("Ah, qenka rëndshëm sonte?...") kur i thanë se princi Karl Filip do të ishte i nderuar të ulej në tavolinë me të: "Është e bukur të takosh princin: nuk ndodh çdo ditë të vish nga Rosengardi dhe të kesh një eksperiencë të tillë".

ZGJEDHJA E POPULLIT - Por Ibrahimoviç, sipas një interviste të dhënë, e kishte takuar princin edhe më parë në rastin e dorëzimit të "Jerringpriset", çmimi i popullit suedez, që çdo vit zgjedh një personazh sportiv më të dashur: "Ai ishte takimi im i parë me familjen mbretërore: isha atje me bashkëshorten time Helena, ishim veshur në të njëjtën mënyrë dhe ai u ul në tavolinën time e ishte shumë i emocionuar. Fitimi i ‘Jerringpriset‘ ishte një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime, pas lindjes së fëmijëve të mi: E zgjedh populli dhe prandaj je i nderuar kur e fiton".

PER MEDALJE - Ibrahimoviç ka folur edhe për sportet e tij para se të zgjidhte futbollin: "Kam luajtur edhe tenis në tavolinë dhe nëse do të kisha vazhduar me ‘taekwondo‘, ndoshta do të kisha fituar medalje olimpike... Por po të kisha zgjedhur një sport individual, do t‘i kisha fituar të gjitha medaljet e mundshme".

NUK E NJEH MILANON - Marrëdhëniet me Milanon: "Ndihem mirë në zonën ku jetoj, por praktikisht nuk kam parë asgjë nga qyteti dhe nuk më vjen keq: nuk më ka interesuar kurrë asnjë qytet. Shikoj vetëm rrugën për në stërvitje dhe atë të kthimit". I dashuruar tmerrësisht pas fëmijëve: "Më mungojnë shumë kur jam larg shtëpisë. Ndonjëherë e kam menduar idenë për të lënë futbollin dhe për të qëndruar pranë familjes, por e di se sa shumë do të më mungonte puna, nëse do ta lija: kur jam me pushime, pas 2-3 ditësh maksimumi, kam dëshirë të stërvitem me top". Flet edhe për programet sportive në Itali? "Më mërzisin pas 10-15 minutash dhe ndryshoj kanal, sepse përsërisin të njëjtën gjë 50 herë: po a nuk do të mjaftonte një herë apo dy herë?"

Juventusi

Presidenti i Juventusit, Xhovani Koboli Xhilji, thekson se nuk është penduar që ua ka shituar Zlatan Ibrahimoviçin rivalëve të Interit dy vjet më parë... "Suedezi luajti te bardhezinjtë nga 2004-2006 dhe më pas refuzoi të qëndronte më shumë. Një dyshe Ibra-Del Piero do të ishte e pamundur të funksiononte"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›