E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bërthamorët”, Greqia: Turqia të heqë dorë

Greqia është tepër e shqetësuar për rrezikun bërthamor që i kanoset. Shqetësimi është bërë zyrtar, kur është artikuluar nga vetë presidenti grek Karolos Papulias.

Nisur nga ajo që po ndodh në Japoni me reaktorët bërthamorë, presidenti Papulias gjatë një vizite në forcat ushtarake të Tanagras, ka kërkuar të merren seriozisht në konsideratë rreziqet fatale që vijnë prej tyre.

Shqetësimi i tij kryesor ka qenë Turqia, e cila planifikon ndërtimin e disa centraleve bërthamore në territorin e saj pranë ishullit Rodos të Greqisë. Papulias tha se Ankaraja duhet të rinkonsiderojë planin për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe kërkoi gjithashtu edhe ndërhyrjen BE për ta ndaluar këtë plan.

"Është e pakuptueshme, që tani kur gjithë bota është tronditur nga shkatërrimi i reaktorëve bërthamorë në Japoni, Turqia të ketë ende dëshirë të ndërtojë reaktorin e saj bërthamor", tha Papulias. Kjo nuk është në dobi të askujt në mënyrë të veçantë të Turqisë, sidomos kur thotë se dëshiron të përparojë në procesin e pranimit të saj në BE.
"Zoti Erdogan duhet ta mendojë shumë herë këtë çështje dhe evropianët duhet të ndërhyjnë për të parandaluar një fatkeqësi, që e kemi në oborrin tonë në pragun tonë" - theksoi presidenti grek.

Në shtete pranë Greqisë, që njihet edhe si vend sizmik, ekzistojnë disa centrale bërthamore; në Hungari, në Slloveni, në Rumani dhe Bullgari. Nga ana e saj Turqia planifikon të ndërtojë së shpejti disa stacione bërthamore. Autoritetet greke janë të shqetësuara edhe për faktin që Shqiperia, Kroacia dhe Maqedonia kanë shprehur gjithashtu dëshirën të prodhojnë energji nëpërmjet centraleve bërthamorë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›