E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa ka "petkun" e pretendentit

Në Kavajë janë ndeshur dje dy skuadra, të cilat janë parashikuar si dy favoritet për t‘i rrëmbyer kampiones në fuqi, Tiranës, kurorën e "mbretëreshës së kampionatit shqiptar të futbollit". Besa vendase ka pritur Vllazninë, e cila vinte në këtë sfidë me disa mungesa për shkak të dëmtimeve. Kanë qenë kavajasit ata që e kanë diktuar ritmin e kësaj ndeshjeje, e cila në fillimin e saj u duk e mërzitshme. Në minutat e para të dyja skuadrat janë munduar të studiojnë lojën e kundërshtarit. Vendasit kanë qenë më kërkues dhe i kanë rrezikuar me anë të sulmuesit të ardhur vetëm pak javë më parë, Daniel Xhafajt: ai godet fluturimthi në minutën e 14, por topi ka shkuar shumë pranë kuadratit të portës dhe jo brenda tij. Më pas kanë provuar edhe Arapi dhe Mancaku, por në asnjë moment nuk i janë afruar golit. Kundërpërgjigjen për Vllazninë e ka dhënë Nallbani, i cili me një gjuajtje të fortë nga distanca ka vënë në provë portierin Orges Shehi. Në minutat në vazhdim ka filluar të ndihet dora e arkitektit të Besës, Shpëtim Duro, i cili orienton lojën në çdo moment dhe kavajasit gjejnë golin e avantazhit pas shumë rastesh të humbura, herë për gabime të lojtarëve të tyre, por edhe për meritë të portierit shkodran Grimaj. Në minutën e 43-të, Poçi pason për Daniel Xhafën, ky i fundit e ul mirë topin dhe e ka çuar në rrjetë. Vllaznia ndëshkohet edhe për shkak të një mbrojtjeje të pavëmendshme që e la plotësisht të lirë mbrojtësin. Me rifillimin e pjesës së dytë, në minutën e 52-të, Daniel Xhafaj bën një finte, topi shkon te Fagu shënon me një gjysmë rovishatë e tij gjen rrjetën e portës së Vllaznisë. Vllaznia zgjohet dhe Kasapi shkakton drithërima në portën e Besës, kur ekzekuton bukur një goditje dënimi, duke e çuar topin shumë pranë trekëndëshit. Vendasit nuk janë dorëzuar dhe Mihani bën një gjuajtje mjeshtërore, por po aq spektakolare ka qenë edhe pritja e Grimës. Shkodranët përpiqen, por pengesë e pakalueshme për të është edhe portieri Orges Shehi. Nis festa e Besës, ndërsa Vllaznia zhgënjen me këtë humbje dhe nivel loje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›