E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli politik që do ofrojnë socialistët

Pas një jave do të mbahet Kongresi postzgjedhor i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Për ata që e ndjekin me vëmendje politikën si një aktore vendimmarrëse për jetën e të gjithë vendit dhe natyrisht edhe për politikanët e vendit dhe ata të huaj që na ndjekin me kujdes, ky rast është pasqyrim i tendencës dhe zhvillimit të demokracisë politike dhe i pjekurisë së saj në vend. Ndoshta me të drejtë, të gjitha llogoret politike në vend dhe sidomos llogorja rozë e PS-së, e kanë akuzuar për mbi një dekadë PD-në dhe liderin e saj, z. Berisha, si praktikues demoniak i praktikave imponuese e autoritariste në jetën e brendshme të PD-së, sidomos gjatë kohës që ajo konsiderohej si djali plëngprishës i Perëndimit në Shqipëri, kur ishte në gjumin e gjatë letargjik opozitar 8-vjeçar, 1997-2005. Me gjithë dëshirën e zjarritur të amerikanëve për ta zëvendësuar Berishën, ky i fundit diti në mënyrë të pabesueshme të sintonizohej dora-dorës me elitën e Perëndimit duke u bërë në disa kauza të tyre edhe më katolik se Papa. E kundërta e këtij stoicizmi të Berishës ndodhi me z. Nano, i cili është një model sa për t‘u admiruar nga gjithë shqiptarët, aq edhe për t‘u ‘anatemuar‘ nga socialistët e zhgënjyer militantë, për indiferencën dhe mungesën e vullnetit ambicioz për të qenë një lider, qoftë gjatë kohës që PS-ja ishte në pushtet, qoftë kur ajo ‘doli vullnetarisht‘ në opozitë... Ndonëse Nano dhe Berisha në fund të viteve ‘90 konsideroheshin prej elitës si dy politikanë me pelena të kuqe bizantiniste dhe shumë të pabesueshëm për të mbajtur ison e polifonisë së saj në raport me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çmontimin e krijesës së Versajës, ish-Jugosllavisë, sot duket se njëri prej tyre, Berisha, është ortaku kryesor që ka luajtur në unison me Perëndimin (me përjashtim të 2 rasteve të "ligjit të lustracionit", ku elita kërkon ta ketë për vete çekiçin e ‘drejtësisë‘ që ta përdorë mbi politikanët e pabindur - kujtoni populizmin e tij në grupin parlamentar të PD-së, ku pyeste se "çfarë kanë me popullin e tij që se linin të lirë?", si edhe të rastit të përplasjes për çështjen e "bregdetit" me BB - nënkupto elitën, e cila i lakmon këto zona turistike për vete pas një raporti të CIA-s për klimën botërore, ku rezulton se brezi i mesit midis Ekuadorit dhe poleve - ky hyn Shqipëria - do të jenë zonat më stabile të temperaturave botërore, pra vendet më të mira për turizmin botëror në 50 vjetët e ardhshëm). Pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, ashtu si në Italinë e post-Luftës së Dytë Botërore, ku të djathtët e demokristianëve qeverisën për disa dekada, edhe pse socialistët dhe komunistët përbënin atëbotë shumicën parlamentare, edhe Berisha, për shkak të sintonizimit elitë-Nano-Berisha, si dhe të fatit më 2005-ën dhe më pas për shkak të politikës miope dhe antiamerikane të Ramës më 2006-2009 (kujtoni katër rastet tipike të nënkuptuara si ‘korrupsioni‘ i rrugës ‘amerikane‘ Durrës-Kukës, tragjedia nga ‘korrupsioni amerikan‘ i Gërdecit, nxitja për anonçimin e lajmit të ‘vjedhjes antiamerikane‘ të orës së Bushit nga shqiptarët ‘mosmirënjohës‘, si edhe rastin ‘korruptiv amerikan‘ Fazlliç-T.Rixh), me ndihmën e arbitrit, do të qeverisë si Kryeministër edhe në mandatin e tij të dytë dhe, nëse Edi Rama do të ‘fitojë‘ në Kongresin e PS-së dhe do të vazhdojë si tash të shtyhet me brirë me përfaqësuesit e Perëndimit, të cilët bëjnë ‘deklarata personale‘ për zgjedhjet, Berisha nuk është çudi të qeverisë si Kryeministër edhe në mandatin e tretë, 2013-2017.

Tabloja e Kongresit të PS-së është, me sa duket, një panoramë e përmbysur në drejtim të respektimit të standardit Nano. Në kundërshtim me statutin e PS-së, po vëmë re se Edi Rama, duke u bazuar te miqtë e tij ‘x‘-sa, të cilët i ka zgjedhur nëpër forumet e PS-së në rrethe dhe në qendër, te deputetët e këtij takëmi dhe pse jo, edhe te joshja financiare e pakonkurrueshme që mund të ofrojë kundër konkurruesve, si alternativë të fundit ndaj kongresmenëve, ai do të përpiqet të mbijetojë kundër moralit dhe standardit rozë dhe rrjedhimisht në gjysmëtablonë kryesore politike të vendit. Ai, me rezistencën e vet luciferike për të qëndruar në krye të PS-së, rrëzon gurët e themelit të demokracisë që vendosi ish-kryetari i saj, z. Nano, më 2005-ën, model i cili ishte një rreze shprese dhe busull kundër instalimit të dinastive politike në vend, emancipimin dhe diversifikimin e elitave të brendshme politike dhe ekonomike. Ky diversifikim është shumë i shëndetshëm për jetën politike dhe sidomos atë ekonomike në vend, pasi ky do të ishte oksigjen për rritjen e shpenzimeve të konsumit të pjesëve më të gjera të popullatës, çka do të luftonte monopolet politiko-ekonomike dhe do të rriste kërkesën për mallra dhe shërbime në vend, gjë që do të rriste punësimin dhe prodhimin e brendshëm, pra si rezultat do të rriste GDP-në e përgjithshme dhe GDP-në për frymë në Shqipëri. Nuk ka gjë më të rrezikshme për një popull se sa monopoli politiko-ekonomik i pushtetit nga një kastë e përjetshme. Popujt e civilizuar i luftojnë këto kasta nëpërmjet legjislacionit dhe pjesëmarrjes në votime. Kjo e dyta është e vështirë të arrihet, ndërsa e para është një arritje e madhe, si ajo që vendosi në statut PS-ja për shkarkimin e kryetarëve që humbasin zgjedhjet e përgjithshme.

Po të shikohet me kujdes deklarata e ndërkombëtarëve për zgjedhjet, jo rastësisht një javë para ditës së Kongresit të PS-së, ishte një nëntekst i dëshirës dhe ftesës së tyre ndaj kongresmenëve rozë për t‘i larë duart me Edi Ramën si partner dhe për t‘u çliruar nga qëndrimi i tij në dukje destabilizues me qeverinë e re të shtatorit. Themi në dukje, pasi Rama e di edhe vetë se nuk mund të dalë gjatë kundër unitetit të faktorit të brendshëm dhe atij të jashtëm për çështjet e gjera shqiptare. Joshja e tij e vetme për kongresmenët kanë ngelur "zgjedhjet e parakohshme", për shkak të parregullsive, gjë që duket e pamundur, pasi z. Rama kishte në dorë zgjedhjet e zakonshme dhe nuk diti t‘i fitonte. E keqja tjetër e PS-së është se ajo nuk ka paraqitur një alternativë të vetme anti-Rama, pasi dy violinat Blushi dhe Malaj duket se po luajnë muzikën e tyre solo në kakofoni. Ata lipsej që të ishin koordinuar për t‘u harmonizuar dhe për të fituar duartrokitjet e publikut rozë dhe gjithë publikut shqiptar. Ata mbase e kuptojnë se të dalësh kundër njëshit, qoftë edhe duke u mbështetur mbi shtratin e betontë të parimeve dhe moralit apo traditës moderne të PS-së, është si të bësh harakiri. Z. Malaj, si lab që është, duket se po e sfidon më me vendosmëri postin e kryetarit, ndërsa z. Blushi, kandidati më brilant nga forma (dhe me një eksperiencë politike e parlamentare të lakmueshme për moshën e vet) që ka pasur këto dy dekada PS-ja, duket se po shfaqet vetëm mbi propozime për saktësimin e parimeve statutore me llogaritë e veta, se fitorja e këtyre do të thotë në momentin e fundit një fitore e tij. Por ndoshta këto parime mund t‘i pranojë edhe Rama, si parime që do të zbatohen "që sot e tutje". Z. Blushi ndoshta ka nevojë të nënvizojë fitoren e Stalinit ndaj rivalëve të vet më 1924-ën te libri bestseller i Baxhianovit, "Kujtimet e sekretarit të Stalinit" . Ky i fundit e vendoste statutin poshtë të ndenjurave dhe para se të zgjidhej, pa çarë kokë për antipatinë e çifutes Krupskaja dhe referimit të saj statutor me porosi të shokut Lenin, u mor vetëm me dy punë: ai nxori nga burgu një të dënuar politik, që t‘i instalonte në zyrë dy telefona për të përgjuar Trockin dhe Zinovievin (këtë inxhinierin estonez e vrau pas kësaj) dhe, së dyti, bëri një fushatë intensive për të holla... Pra, zotëroi planin e kundërshtarëve dhe siguroi të holla. Me këtë strategji të gabuar, z. Blushi nuk mund të mbështetet te kongresmenët pragmatistë, të cilët duan oferta konkrete bashkëpunimi me atë që ata e përfytyrojnë si liderin e ardhshëm dhe këto oferta nuk mund t‘i marrin nga parimet e statutit që kërkon të rregullojë z. Blushi, por nga kryetari i ri. Aq më tepër që z. Rama i mashtron delegatët, duke iu thënë se me mua do t‘ vini në pushtet para 2013-ës, ndërsa me z. Blushi do të bini nën vellon e konspiracionit ndërkombëtar, të cilët po mbajnë Berishën në pushtet. Jo më kot, disa ditë pas zgjedhjeve z. Berisha e kërcënoi z. Rama indirekt si një antiglobalist (që s‘pranon skemën qeverisëse të Perëndimit në Shqipëri) dhe këta të fundit si të korruptuar, gjatë një mitingu përurues.

Zgjidhja më e mirë për PS-në dhe gjithë vendin, për shumicën e shqiptarëve, do të ishte një ruajtje e standardit demokratik të vetëmjaftueshëm dhe civilizues të PS-së të vendosur më 2005-ën nga z. Nano për liderin humbës, transmetimi i këtij modeli ligjor dhe sjelljeje te PD-ja, pas zgjedhjeve të cilat ajo do t‘i humbiste më së pari, ndërkëmbimit në pushtet të një numri relativisht të gjerë ndër vite të elitave politiko-ekonomike në vend. Kjo sjellje do të ruante unitetin e opozitës, fuqinë e saj politike, mospërdorimin e saj nga Berisha me synim shantazhin dhe dobësimin e LSI-së si një forcë ekuilibruese qeverisëse dhe forcimin e anarkisë e abuzivizmit të Berishës në ujëra të tilla të turbullta të mbushura me ‘opozitarë‘ pa busull e arrivistë. Sepse ka tri opsione të PS-së pas Kongresit: nëse ‘fiton‘ Rama përsëri (çka duket se ka gjasa më së tepërmi të ndodhë), ai do t‘i mbledhë prapë delet rozë si një kope që s‘di të blegërijë dhe me politikën e vet inatçore ndaj Perëndimit do t‘i lërë përsëri në opozitë socialistët më 2013-ën (një rast ku PS-ja do të ngelej në dukje e bashkuar, por në një reanimacion të gjatë); nëse fiton Blushi apo Malaj ndaj përplasjes me Ramën në Kongres, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë, pasuesit e ish-kryetarit Rama do të krijojnë një grup rebel ndaj kryetarit të ri, grup i cili është pa eksperiencë dhe që do të jetë pa busull në Kuvend dhe që mund të përdoret nga Berisha dy vjetët e fundit (rasti më i keq); nëse Rama do të tërhiqej dhe do të mbështeste me statutin dhe standardin Nano një nga dy kandidaturat serioze të tjera të PS-së me gjithë mbështetësit e tij, PS-ja me siguri që do të krijonte një opozitë serioze për Berishën, një forcë me shënjestër të korrigjuar me tendencë bashkëpunuese ndaj LSI-së më 2013-ën dhe vlerave të cilat i ka shkelmuar z. Rama deri tani, duke siguruar një unitet të gjerë të së majtës dhe një fitore të padiskutueshme të zgjedhjeve të ardhshme. Sepse Rama duhet ta kuptojë se ai nuk është më ylberi i fitores në PS; ai erdhi në fuqi duke e pranuar dhe kërkuar ‘fatin‘ e tij, edhe pse erërat atëbotë nuk frynin në favor të anijes rozë; në rolin e kapitenit rishtar të PS-së ai vazhdoi ta shtynte atë me amatorizëm dhe me instiktiv e origjinës së vet përsëri kundër rrymës perëndimoriste si një Don Kishot me disa gabime trashanike kundër qeverisë së SHBA-së, pasi nuk diti t‘i drejtonte rremtarët e tij të vjetër të shkollës komuniste me vozitje nga drejtimi i rrymës dhe si rezultat u ndëshkua me penallti nga arbitri perëndimor pas një loje të barabartë me ekipin qeverisës pas zgjedhjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›